Foto ilustruese

Bota

Analiza/ Si dhe ku ndryshon loja e madhe e naftës

4 Shtator 2022, 08:23| Përditesimi: 4 Shtator 2022, 08:25

  • Share

Për të kuptuar se çfarë do të ndodhë me industrinë globale të naftës, dhe me çfarë pasojash do të përballet Evropa në të ardhmen e afërt, është e nevojshme të shohim se çfarë po ndodh në Lindje. Në fakt pikërisht atje do të zhvillohet loja e madhe e naftës ruse, e goditur aktualisht nga sanksionet e BE-së, por vetëm pjesërisht, në pritje të goditjes përfundimtare të planifikuar për në fund të këtij viti.

E detyruar ta identifikojë Azinë si rajonin e saj të ri tregtar kryesor pasi u izolua nga Evropa, Rusia i ka forcuar marrëdhëniet e saj me partnerët e vjetër dhe të rinj lokalë. Në rast se marrëdhëniet gjithnjë e më të forta ekonomike midis Moskës dhe Pekinit nuk janë befasuese, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për aksin e ri ekonomik Moskë-Nju Delhi.

Ndërkohë, pavarësisht se e kanë dënuar Rusinë për luftën në Ukrainë, Japonia dhe Koreja e Jugut vazhdojnë të blejnë naftë nga Kremlini. Ashtu si Tajvani, që kohët e fundit u vendos në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për vizitën e Nancy Pelosit në ishull dhe reagimin e ashpër të Pekinit.

Pra, Perëndimi dhe partnerët e tij, përfshirë ata në Azi, janë unanimë në akuzën e tyre ndaj Moskës për sulmin ndaj Kievit dhe shkaktimin e një konflikti të përgjakshëm. Por njëkohësisht ka nga ata që duket se nuk kanë ndërmend të sakrifikojnë sistemet e tyre ekonomike dhe prodhuese, duke e privuar plotësisht veten nga lidhjet me rusët.

Duke lënë mënjanë SHBA-në, për të cilën ndikimi i embargos ndaj naftës ruse do të ketë një efekt dukshëm të kufizuar në krahasim me atë që do të ndodhë në Kontinentin e Vjetër, është interesante të përqendrohet vëmendja tek India, Koreja e Jugut, Japonia dhe Tajvani. Pa harruar edhe Kinën, e cila edhe pse nuk është pjesë e aleancës perëndimore, po kryen lëvizje tregtare që do të prekin sektorin botëror të naftës.

Nëse çmimi i naftës ka rënë kohët e fundit, kjo ka ndodhur sepse India dhe Kina e kanë rritur blerjen e naftës së papërpunuar nga Rusia, dhe në të njëjtën kohë kanë reduktuar blerjen e naftës nga vendet e treta. Kjo gjë i ka detyruar prodhuesit e tjerë, përfshirë Arabinë Saudite, që të ulin çmimet e tyre.

Le të marrim tani rastin e Indisë, ku Moska po e dominon tregun vendas të naftës, madje duke tejkaluar edhe peshën që kanë vendet saudite dhe të OPEC sa i përket blerjes së burimit të çmuar të energjisë. India, vendi më i madh importues i naftës në botë ( 85 për qind e naftës importohet nga jashtë), ka gjetur një partner të përsosur tek Rusia.

Sipas asaj që raporton Bloomberg, në 3-mujorin e dytë të këtij viti, pra nga prilli në qershor, qeveria indiane e ka blerë naftën ruse me një çmim më të ulët se ai që e ofron Arabia Saudite. Ndërkohë, Nju Delhit iu bë një tjetër ofertë për një sasi të madhe nafte ruse me një çmim të ulur deri në 19 dollarë për fuçi.

Një muaj më vonë, në qershor, Rusia ia kaloi Arabisë Saudite duke u bërë furnizuesja e dytë më e madhe e naftës në Indi pas Irakut. Pra meqë lufta në Ukrainë e detyroi Rusinë të gjente tregje të reja në të cilat ta eksportojë naftën e saj, me çmime më të volitshme, India përfitoi nga situata duke u bërë si një nga klientët kryesorë të Moskës. Në këtë mënyrë, ajo garantoi një efekt pozitiv në ekonominë e saj.

Ndërkohë, Kremlini është bërë furnizuesi më i madh i naftës edhe për Kinën. Sipas të dhënave të bëra publike nga Administrata e Përgjithshme Doganore e Kinës, në korrik, rafineritë e pavarura të vendit komunist i rritën sasitë e naftës së blere me çmim të ulur nga Moska, duke reduktuar importet nga furnizuesit rivalë si Brazili dhe Angola  

Në përgjithësi, importet e karburanteve fosile të Kinës nga Rusia vazhdojnë që të rriten. Pekini bleu naftë bruto dhe gaz natyror të lëngshëm (LNG) për të katërtin muaj radhazi, duke shënuar rritje vjetore respektive prej 7.6 për qind (në rreth 7.14 milionë tonë) dhe 20.1 për qind, duke kaluar 400.000 ton.

Importet kineze të naftës nga Rusia që nga fillimi i këtij vitit arritën në 48.45 milionë tonë, 4.4 për qind më shumë se një vit më parë, por mbetet ende pas atyre të Arabisë Saudite, e cila e furnizoi Kinën 49.84 milionë tonë, ose 1 për qind më pak se një vit më parë. Kësisoj, falë Kinës, kompania ruse e naftës Rosneft është bërë një nga kompanitë më të mëdha në botë, ndërsa kërkesa e Indisë për naftën ruse e ka lejuar Moskën të rrisë eksportet e naftës së papërpunuar në Nju Delhi nga rreth zero në 1 milionë fuçi në ditë.

Ndaj ka ardhur koha të përmblidhet strategjia që ka në mendje Evropa. Embargoja e BE-së për importet e naftës ruse që vijnë përmes rrugëve detare, do të hyjë në fuqi midis dhjetorit dhe janarit. Në qershor, Këshilli miratoi një paketë prej 6 sanksionesh ku ndër të tjera “ndalon blerjen, importin apo transferimin e naftës bruto dhe produkteve të caktuara të naftës nga Rusia në BE”.

Por këto kufizimet do të hyjnë gradualisht në fuqi: brenda 6 muajve për naftën bruto dhe brenda 8 muajsh për produktet e tjera të rafinuara të naftës. Ndërkaq, ekziston një përjashtim i përkohshëm për importet e naftës së papërpunuar që vjen përmes linjave tokësore drejt vendeve anërtare, të cilat për shkak të vendndodhjes së tyre gjeografike, vuajnë nga një varësi specifike nga furnizimet ruse dhe nuk kanë alternativa të mundshme.

Sipas Brukselit, deri në fund të vitit këto kufizime do të mbulojnë gati 90 për qind të importeve të naftës ruse në Evropë, duke ulur ndjeshëm fitimet e Rusisë nga ky sektor. Më pas BE-ja do të duhet të kërkojë furnitorë të rinj të aftë të zëvendësojnë Kremlinin (nga Nigeria në Angola nëpërmjet Kamerunit).

Ndërkohë në Azi, partnerët kryesorë perëndimorë vazhdojnë të importojnë naftë nga Rusia. Siç theksoi Asian Nikkei Revieë, në 5 muajt pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani importuan një total prej 5.5 miliardë dollarësh lëndë djegëse fosile nga Moska.

Kjo tregon varësinë e madhe të këtyre vendeve nga lëndët e para ruse, së cilës është pothuajse e pamundur që t’i jepet fund. Qendra për Kërkime për Energjinë dhe Ajrin e Pastër, vlerëson se Japonia importoi 2.6 miliardë dollarë qymyr, naftë dhe gaz rus midis 24 shkurtit dhe 31 korrikut. Koreja e Jugut ka rreth 1.7 miliardë, ndërsa Tajvani 1.2 miliardë dollarë importe në të njëjtën periudhë.

Kështu, Seuli, Tokio dhe Taipei kanë kontribuar me rreth 1 miliardë dollarë në muaj në buxhetin federal të Rusisë. “Kur të hyjnë në fuqi sanksionet e vendeve të BE-së për qymyrin dhe naftën ruse në fund të këtij viti, vendet e Azisë Lindore do të mbeten në thelb klientet kryesore të lëndëve djegëse fosile ruse”- thotë Lauri Myllyvirta, studiuesi kryesor i institutit kërkimor CREA./ “Il Giornale”, Bota.al

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?