Analizë: Pse na e ngrë notën 'Standard & Poor’s'?

24 Mars, 18:02| Përditesimi: 24 Mars, 18:07

  • Share

Agjencia ndërkombëtare amerikane e vlerësimit të aftësisë së shlyerjes së kredive të të gjithë vendeve të botës dhe të kompanive shumëkombëshe “Standard & Poor’s”, ndër tre vlerësueset më të mëdha në planet, së bashku me “Moody’s” dhe “Finch Ratings”, përmirësoi më 22 mars 2024 notën për Shqipërinë me një kategori, vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë, duke bërë që për herë të parë të kalojmë nga në “BB-“, nga nota “B+”.

Standard & Poor’s përfaqëson agjencinë më të njohur të gjykimit ndërkombëtar mbi vlerën e kredisë së huamarrësve, duke vlerësuar borxhin e tyre ose letrat me vlerë të tjera, duke përdorur një shkallë të standardizuar vlerësimi. Agjencia vlerëson aksionet e zakonshme dhe të preferuara, obligacionet dhe letrat tregtare.

Kalimi në një shkallë(notë) më të lartë, zakonisht kërkon nga tre agjencitë botërore një kohë relativisht të gjatë për të krijuar bindjen që përmirësimet e ekonomisë së një vendi janë të qëndrueshme. Të paktën një deri dy vjet.

Në tre vitet e fundit, nota e Standard & Poor’s për Shqipërinë është kërcimi më i madh pozitiv në gjykim, për një vend evropian. Agjencia prodhon vlerësime zakonisht në intervale 6 muaj deri një vit nga vlerësimi i mëparshëm.  

Përse vlerësohemi si ekonomi dhe financa publike?

Në raportin më të fundit të publikuar më 22 Mars 2024, agjencia e vlerësimit të kreditit “Standard & Poors” përmirësoi vlerësimin afatgjatë të kredisë sovrane të Shqipërisë në “BB-“ nga 'B+', duke theksuar rritjen e ndjeshme të pozicionit fiskal dhe pozicionit të jashtëm të vendit, si ekonomi publike për t’i besuar.

Shtimi-kërcim i vlerësimit vjen si një njohje e qëndrueshmërisë ekonomike të Shqipërisë dhe menaxhimit të matur të financave publike në përballje me një sërë sfidash të njëpasnjëshme.

Në pesë vitet e fundit 2019-2023, ekonomia jonë ia ka dalë gjithnjë që të befasojë për aftësinë e saj të rimëkëmbjes shumë nga institucionet ndërkombëtare që na vëzhgojnë e na ndihmojnë, si FMN-në, Bankën Botërore dhe BERZH-in, sidomos për shifrat e prodhimit kombëtar, ose Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Befasia që nga viti pandemik 2020

Në vitin pandemik 2020, institucionet ndërkombëtare parashikuan që prodhimi ynë kombëtar (PBB) do të binte ndërmjet minus 7 dhe minus 9 perqind, si rrjedhojë e pasojave që do të vinin nga mbyllja dhe rënia globale. Një gremisje e vërtetë. Në fakt nuk ndodhi kështu. Ramë vetëm 3.3 përqind, rënie ndër më të ulëtat në rajon.

Në vitet 2021-2023, vendi u rrit më shumë sesa parashikimet e fillimvitit të këtyre institucioneve. Për vitin 2023, në nëntor të këtij viti, FMN dhe Banka Boterore i rishikuan në ngritje parashikimet e tyre të mesvitit, për shkak të bumit nga turizmi.

Elasticiteti, përshtatshmëria e shpejtë e sipërmarrjeve tona, që në pjesën më të madhe janë të vogla e të mesme, ka bërë që praktikisht të mos dëgjojmë lajme falimentimesh masive mes bizneseve, nga vështirësite  e këtyre viteve të fundit. Sipërmarrjet tona ditën të përshtaten me shpejtësi, të ndihmuara dhe nga turizmi

Kontribut ka dhënë fort menaxhimi i matur i financave publike, rritja e sektorit të turizmit në 4 vitet e fundit, fluksi i valutës së huaj, faktorë të cilat garantojnë qëndrueshmëri të ekonomisë.

S&P, dy vlerësime në ngritje në 6 muaj

Në përcaktimin e datës 22 mars 2022, Standard & Poor’s mendon se ekonomia e Shqipërisë është rritur me një mesatare mbresëlënëse prej 5.8 përqind në vit gjatë tre viteve të fundit, duke përmirësuar njëkohësisht ndjeshëm parametrat e financave publike të vendit.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?