Kriza nga lufta, Anastas Angjeli: Rolin kryesor e ka qeveria dhe jo banka, tre sektorët që duhen ndihmuar me paketa financiare

4 Prill 2022, 18:34| Përditesimi: 4 Prill 2022, 20:39

  • Share

Anastas Angjeli është zgjedhur së fundmi nga Kuvendi si Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë. Për të folur rreth detyrës së tij të re dhe krizës ekonomike që imponon lufta Rusi-Ukrainë, ish-deputeti socialist ishte i ftuar në ‘Kontrast’ të Report TV.

“Unë falenderoj Parlamentin për besimin që më dha, sepse është një besim i politikës për profesionistët. Mendoj që Kuvendi vlerësoi kostumin e profesionalizmit, por që është i lidhur edhe me jetën time akademoke, profesionale dhe politike me funksione edhe ekzekutive. Po t’i marrësh të gjitha bashkë përbëjnë një trinom dhe unë u ndjeva mjaft mirë, ndaj edhe qysh në krye të fjalës e nisa me falenderimin për besimin. Të jeni të sigurtë se detyrën do ta kryej me përgjegjshmëri në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve që rregullojnë veprimtarinë në fjalë, duke dhënë maksimumin në një kohë që vetë ekonomia ka problematikat e saj” – tha Angjeli referuar faktit se ai u zgjodh edhe me vota nga krahu opozitar.

Duke u ndalur te kriza ekonomike, ai tha se nuk ka metër dhe peshë për të, por që nga fundi i vitit 2019 Shqipëria po përjeton një trinom krize. Sipas Angjelit, për rrjedhojë kjo ka tronditur nivelin e jetesës dhe xhepin e familjeve shqiptare.

“Deri në nëntor të vitit 2019 performanca e ekonomisë ishte mjaft positive dhe në ringritje. Tërmeti I 26 nentorit e tronditi nga themelet këtë arritje të ekonomisë. Më pas në Mars OKB shpalli pandeminë dhe kjo shënoi tronditjen e dytë. Sapo kemi kaluar dy vite të një ekonomie të prekur dhe pikërisht në momentin e tretë kur e gjithë ekonomia globale po e hidhte pas shpine goditjen e madhe që mori nga pandemia, u përballën me goditjen e tretë që është kriza e çmimeve të energjisë, të naftës dhe të çmimeve ushqimore e lëndëve të para që erdhën si rrjedhojë e pushtimit rus të Ukrainës. Ndaj ekonomia është asfiksuar dhe po vijon të asfiksohet më tej dhe e ardhmja nuk është shumë e qartë për të gjithë botën. Duhet pranuar që aktualisht jemi në një krizë që vijon të na kërcënojë dhe nuk është e qartë sa do thellohet më tej. Për shkak të luftës dhe për shkak të rritjes së çmimeve energjetike, që po shoqërohen me inflacion” – tha Anastas Angjeli.

Anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Anastas Angjeli, tha se sfida kryesore e Bankës së Shqipërisë është të frenohet inflacioni pa frenuar rritjen ekonomike. Ai u shpreh se kriza për nga karakteri kërkon kryesisht zgjidhje nga qeveria dhe jo nga Banka Qendrore.

“Ka shumë debate dhe dilema nëse rolin kryesor e kanë Bankat Qëndrore apo qeveritë? Nëse në krizën e parë kishte një ballancë, në këtë fazë që ka të bëjë edhe me inflacionin dhe stabilitetin e çmimeve, duket sikur levën e Arkimedit e kanë bankat qëndrore. Por në fakt nuk është kështu. Duhen përdorur instrumentet duke ndalur inflacionin dhe duke dëmtuar ekonominë? Apo duke e lejuar rritjen ekonomike dhe të mos ndërhyjë? Ky është debati që bëhet sot në botë për rolin e bankave qendrore. Në krizën e kaluar patëm një vërshim të parave për shkak të paketave që vendet e Europës ndërmorën për të përballuar krizën e shkaktuar nga Covid-19. Pra u hodhën shumë para për ta përballuar këtë. Ndërsa sot jemi në një moment tjetër. Gjatë gjithë kësaj periudhe po ta shohim, SHBA reagon më shpejt. Por duhet pranuar që rritja e normave të interest nuk është se të çon në ndonjë rritje të madhe ekonomike. Problem është të frenohet niveli i inflacionit pa e dëmtuar rritjen ekonomike. Çfarë mund të bëjë Banka e Shqipërisë? Në këtë debat rolin më të madh e ka qeveria dhe jo Banka. Qeveria vjen me paketa që ndihmojnë tre grupime të mëdha si shtresat në nevojë, sektorët që preken më tepër dhe bizneset. Këtë trinom qeveria e sheh sipas fuqisë ekonomike që ka vendi” – tha Angjeli.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?