Carlo Ancelotti ka nisur zyrtarisht punën si trajner i kombëtares së Brazilit, duke zhvilluar seancën e parë stërvitore në prag të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Tifozët brazilianë, të entuziazmuar për ardhjen e teknikut italian, i kanë dhënë një emër të përshtatur në stilin e tyre duke e quajtur “Carlinho”. Një nofkë që Ancelottit duket se i ka pëlqyer dhe e ka pranuar me buzëqeshje.
Në seancën e parë stërvitore, trajneri nuk e kishte në dispozicion grupin e plotë të lojtarëve. Mungonin futbollistët e Paris Saint Germain, Marquinhos dhe Beraldo, si dhe mbrojtësi i Interit, Carlos Augusto, të cilët ishin të angazhuar në finalen e Champions League të shtunën.
Gjithashtu, disa lojtarë që vijnë nga klubet braziliane u limituan vetëm në ushtrime rikuperuese, pas impenjimeve të fundit në kampionat.
Për sfidën e 6 qershorit ndaj Ekuadorit, 'Selecao' do të duhet të bëjë edhe pa Raphinhan, i cili është i pezulluar për shkak kartonësh.
Ndeshja tjetër e muajit është ajo ndaj Paraguajit, me Brazilin që kërkon një fillim të fortë nën drejtimin e teknikut që ka fituar gjithçka në futbollin evropian.
Komente
