Sindikata e Futbollistëve Profesionistë në Shqipëri i ka kthyer përgjigjje Augustin Kolës në lidhje me akuzat që kishte bërë ky i fundit pasi dëgjoi deklaratën e kreut të kësaj sindikate Andi Lilën, teksa kritikonte Asamblenë e Zakonshme të FSHF-së, të zhvilluar ditën e djeshme.
Kola thoshte se Lila e ka mendjen vetëm te paratë, ndërsa Sindikata i është përgjigjur me atë të Sekretarit të Përgjithshëm, Meglid Mihani, i cili i ka kërkuar atij të thotë emrin e futbollistit që i është kërkuar lekë për të qenë pjesë e institucionit.
“Për të drejtpërdrejtin, profesor Agustinin. Profesor keni gabuar në nuhatjen tuaj se Sindikata e Futbollisteve është prona e Andi Lilës, është e të gjithë futbollistëve. Profesor keni gabuar kur thoni se Sindikata nuk interesohet për futbollistet, këtë më mirë e dinë futbollistet.
Profesor të gjithë ne punojmë për para, se ushqejmë familjet tona, por asnjëri nga anëtaret e kryesisë nuk paguhet nga Sindikata. Sigurisht që nuk kemi bërë as tendera për të fituar ndonjë PARE. Unë të ftoj të vish nesër në Durrës dhe të shikosh se si janë përdorur lekët e aktivitetit, për të cilin të ka mbetur hatri se nuk u bëre pjesë.
Profesor, duke ju njohur se jeni i drejtpërdrejtë, më thoni ose privatisht ose publikisht se cili person ju ka thënë se duhen 25000 për t’u anëtarësuar në Sindikatën tonë. Duke qenë Sekretar i Përgjithshëm i Sindikatës, për mua ky informacion ka shume interes. Meglid Mihani”, shkruhet një deklaratën e Sindikatës.