Musine Kokalari ishte e para femër që studio për letërsi dhe e para po ashtu që mori titullin e lartë « Doktor » me një tezë për Naim Frashërin në Universitetin « La Sapienca » të Romës në vitin 1941. Fati i saj u shenjua nga refuzimi që ajo i bëri diktaturës komuniste dhe për shkak të këtij qëndrimi ajo vuajti burgosjen dhe internimin si dhe ajo vetë dhe vepra e saj u përjashtuan nga qarkullimi letrar. Një tjetër studiuese e shquar, biologia e shquar Sabiha Kasimati u pushkatua nga komunistët në të ashtuquajturën ngjarja e vendosjes së bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë në vitin 1951.
Andromaqi Gjergji ështrë gjithashtu një shkencëtare e shquar si kolget e saj të martirizuara por që pati fatin ta zhvillojë talentin e saj në kushtet e zhvillimit të shkencës në periudhën komuniste. Si formim ajo bënte pjesë te ai rreth intelektualësh që kishin të ndërthurur kulturën perëndimore me atë klasike. Prof. Nasho Jorgaqi në librin e tij « Koha e kujtimeve » (OMBRA GVG, Tiranë, 2011), duke folur për vetminë e Mitrush Kutelit sidomos në vitet ’50-’60 kujton : « Vetë Mitrushi kish një rreth të ngushtë intelektual : të deklasuar apo ish-të burgosur nga të cilët do të përmendja shkrimtarin M.Greblleshi, botuesin Ismail Mal’Osmani, prof. S. Papakriston, helenist, përkthyes i letërsisë antike greke, një plak i urtë që qëndronte në hije… I vetmi vend ku shkonte me qejf ishte shtëpia e Sterjo Spasses, e kthyer në një si lloj klubi të vogël, ku mblidheshin herë pas here miqtë e brezit të tij, jo vetëm Nonda, po edhe E. Çabej, M. Domi, N. Hakiu, M. Greblleshi. I. Mal’Osmani, z. Cikuli e ndonjë tjetër. Këtë shoqëri herë pas here e bënte më të këndshme Merushja ose Rusha, e shoqja e M. Greblleshit, një grua e bukur edhe e zgjuar, por edhe etnografja erudite Andromaqi Gjergji. » (f. 251). E vendosur në këtë kontekst dhe e vlerësuar kështu, portreti i etnografes A. Gjergji bëhet më i qartë dhe gjithkush e ka të lehtë ta vendosë atë në atë radhë studiuesish e dijetarësh që ndërtuan korpusin e madh të albanologjisë shqiptare duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që iu vuri në dispozicion sistemi i shoqërisë socilaiste, i cili, në mënyrë që ta bënte dogmën e tij më të besueshm e të plotë, nxiti dhe krijoi kushtet që albanologjia shqiptare dhe sidomos studimet për folklorin apo edhe për atë që u quajt kultura materiale shipirtërore të njihnin një zhvillim të vrullshëm. Akademik Albert Doja, në librin e tij « Shfaqja e antropologjisë në Shqipëri » (Tiranë 2018) e ka përcaktuar drejt fenomenologjinë e kësaj tradite në studimet shqiptare dhe i ka hetuar me rigorozitet shkencor kriteret mbi të cilat u zhvillua dija për studimin e kulturës materiale e shpirtërore në vendin tonë.
Megjithëse e frymëzuar nga parimi i etnosit që i përkiste shkollës së mendimit lindor, etgnografia shqiptare, falë kulturës së dijetarëv të saj si Rok Zojzi apo A. Gjergji mblodhi një lëndë të gjerë të artefakteve të kulturës materiale shqiptare të cilat sot mund të shërbejnë për studime më të thelluara në fusha më pak të rrahura si antropologjia fjala vjen. Jo vetëm studimet e saj për veshjet popullore shqiptare në periudha të hershme dhe në kohët e vona, por edhe ato për artin popullor shqiptar, për mënyrën e jetesës apo për marrëdhëniet shoqërore të hershme e të reja e kanë bërë veprën e A. Gjergjit një burim të vlefshëm informacioni dhe idesh. A. Gjergji është akademikja e parë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Formimi i saj që nis me shkollën e mesme në qytetin e saj të lindjes në Korçë e që vazhdon më pas në Tiranë tregoi se ashtu si edhe një tjetër dijetar i shquar, prof. Shaban Demiraj, që studiaun vetëm në Shqipëri, vullneti dhe disiplina e pasioni e bënë atë një erudite dhe një studiuese të zonjën. Emri i saj për disa kohë ishte gati si sinonim i studiueses së kulturës popullore e sidomos të veshjeve të shqiptarëve ndër shekuj.
Përkujtimi që i bëri sot Akademia e Shkencave kësaj figure në ditën e vendosur nga OKB-ja si dita e grave në shkencë, dëshmon se vlerat e traditës në shnumë raste e kapërcejnë edhe kufizimin që për arsye të njohura mund të vendosë koha.
Andromaqi Gjergji (1928–2015). Etnologe, profesore, akademike. Lindi në Korçë, ku kreu dhe shkollën e mesme. Në v. 1947–1949 ndoqi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik Dyvjeçar të Tiranës dhe filloi punën në sektorin e etnografisë në Institutin e Shkencave. Më vonë plotësoi studimet e larta dhe u diplomua në degën e historisë të UT. Vijoi punën si etnologe në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, dhe më vonë në Institutin e Kulturës Popullore. A.Gj. është studiuese e specializuar në fushën e veshjeve popullore shqiptare. Rezultatet e kërkimeve të gjata shkencore në terren (1949–1981) dhe të studimeve të saj i ka pasqyruar në një varg artikujsh dhe në veprën përgjithësuese: “Veshjet shqiptare në shekuj” (Tiranë, 1988). Një numër studimesh të saj i kushtohen mënyrës së jetesës, kushteve materiale të jetës familjare e shoqërore, sidomos në fshat, duke trajtuar edhe disa mbijetoja të hershme. Një pjesë e tyre është përmbledhur në vëllimin: “Mënyra e jetesës në shekujt XIII–XX” (Tiranë, 2002). Është bashkautore në veprat: “Histori e artit shqiptar” (1990), “Veshje Popullore Shqiptare - Albanian Popular Costumes” (vëll. I, 1999; vëll. III, 2005), “Albania a Patrimony of Europian Values” (2000), si dhe në tekstet mësimore: “Historia e artit shqiptar” (1990), “Veshje popullore” (1989) dhe “Ligjërata për etnologjinë shqiptare” (2001, ribotim 2005). A.Gj. ka dhënë ndihmesë me vlerë edhe në fushën e muzeologjisë. A.Gj. është e para grua anëtare e ASHSH (1999). Është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”.