Ilir Kupa në gjykatë

I dënuar për 6 vepra penale, Ulsi Manja urdhëron futjen në regjimin e posaçëm ’41 bis’ të Ilir Kupës, drejtuesit të ‘bandës së babagjyshëve’

11 Dhjetor 2023, 15:55| Përditesimi: 15 Dhjetor 2023, 13:38

  • Share

Albet Kupa i njohur edhe si Ilir Kupa është dërguar në regjimin e posaçëm 41 bis. Lajmin e ka bërë me dije ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.

I njohur si drejtues i “bandës së babagjyshëve”, Ilir Kupa po vuan dënimin për 6 vepra të ndryshme penale në burgun e Peqinit. Manja në njoftimin e bërë ka paralajmëruar se në bashkëpunim me SPAK, edhe persona të tjerë do dërgohen në regjimin e posaçëm. 

Ilir Kupa në vitin 2014-2015, ka qenë i përfshirë në aktivitetin kriminal të grupit të “Babagjyshëve”, pjesëmarrës në disa vjedhje/grabitje, si dhe dhënien e vlerave monetare me përqindje. Gjithashtu, ka qenë person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga shteti grek.

Ilir Kupa u dënua me 25 vite burg nga Gjykata për Krimet e Rënda në maj të vitit 2016, dënim që u zbut në 16 vjet e 8 muaj në Apel. Vendimi i Apelit u prish nga Gjykata e Lartë në nëntor 2022 dhe në fuqi u la dënimi me 25 vite. Për dosjen greke, Ilir Kupa u fajësua për 6 vepra penale, mes të cilave “grup të strukturuar kriminal” dhe “vrasje me dashje ndaj funksionarit publik”, mbetur në tentativë, në dëm të dy gardianëve të burgut grek. Nga burgu i Trikallës, Kupa u arratis me 10 shqiptarë të tjerë të dënuar, mes të cilëve Admir Muratajn e Klement Cala, të përfshirë në vitin 2019 në grabitjen e miliona eurove në Rinas, ku Murataj mbeti i vrarë. Ndërsa në çështjen penale, ku ishte pjesë e “bandës së babagjyshave”, të akuzuar për 13 episode grabitjes me armë, Kupa mori një dënim me 35 vite burg.

Historia e grupit të ‘Babagjyshëve’

Ilir Kupa rezultoi se ishte drejtues i ‘bandës së babagjyshëve’, që merrej me vjedhjen e disa argjendarive në Tiranë, qytete të tjera brenda dhe jashtë vendit. Banda përbëhej nga; Ilir Kupa, Fatmir Pjetri, Agustin Sula, Julian Qerushi, Dritan Kola, Saimir Kala, Mark Shpendi, Hajdar Sefa, Lin Kala, Edmond Selala, Angjelin Ndreka.

Vjedhjet e grupit të ‘babagjyshëve’
1. Më dt. 11.01.2013, rreth orës 6 pasdite, është kryer vjedhja e mbetur në tentative me armë, në bashkëpunim, i një argjendarie pranë stacionit të trenit, Durrës, pronë e shtetasit A.F. Në këtë vjedhje të mbetur në tentativë kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri, Agustin Sula dhe Saimir Kala.

2. Më datë 28.09.2013, rreth orës 19.10 është vjedhur me armë në bashkëpunim, dyqanin argjendari, në pronësi të shtetasit A.B. ndodhur  në Lagjen “Llukan Prifti”, Kuçovë.  Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Agustin Sula, Fatmir Pjetrin dhe Hajdar Sefa, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme floriri.

3. Më datë 25.10.2013 rreth orës 13.20 është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar dhe të armatosur i firmën agroushqimore “A..T..A..”, ndodhur  ne Vorë, ku kanë marrë shumën prej 1000 dollarë  arkëtares së kësaj firme. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Agustin Sula dhe Julian Qerushi.

4. Më datën 05.11.2013, rreth orës 14.30, është vjedhur me armë, në bashkëpunim, argjendaria në pronësi të shtetasit S. R. dhe gjatë vjedhjes është plagosur pronari i saj,  ndodhur në qendër të qytetit Laç. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Hajdar Sefa, Agustin Sula dhe Fatmir Pjetri, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme floriri. 

5. Më datë 25.11.2013, rreth orës 13.45, është vjedhur nga tre persona të armatosur “Argjendari Gj….”, në vendin e quajtur tek tregu i qytetit Fushë-Krujë, në pronësi të shtetases P. B.,  ku janë vjedhur një sasi bizhuterish, si edhe një sasi rreth 500.000 (peseqind mije) lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Fatmir Pjetri dhe Agustin Sula.

6. Më datë 24.12.2013, rreth orës 17.30, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim Argjendaria “G….”, ndodhur në qendrën tregtare, në fshatin Lundër, Tiranë.  Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Agustin Sula, Fatmir Pjetri dhe Julian Qerushi, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme floriri. Autorët e kanë realizar këtë vjedhje, të veshur si babagjyshë të festës së Vitit të Ri.

7. Më 28 shkurt 2014, në orët e drekës, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar me uniforma policie dhe të armatosur, i pikës së shitjeve të makinave Mercedes Benz, ndodhur  ne autostradën Tiranë Durrës, pranë mbikalimit të Kasharit,  ku kanë marrë shumën prej 100 000 lekë.  Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Agustin Sula dhe Edmond Selala.

8. Më datën 14.04.2014, rreth orës 10;36, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga katër persona të maskuar me uniforma policie dhe të armatosur, i kompleksit të shërbimeve A.M.L, ndodhur  ne Rrugën “Konferenca e Pezës”, Tiranë  ku kanë marrë shumën prej 1 000 000 lekë.  Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri, Dritan Kola, Agustin Sula dhe Mark Shpendi.

9. Më dt. 22.04.2014, rreth orës 09:30, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar dhe të armatosur që kanë lëvizur me motor, i argjendarisë “AÇ”, ndodhur në bulevardin “Bajram Curri”, përballë Gjykatës së rethit Gjyqësor Tiranë, në pronësi të shtetasit A. Ç.,  ku kanë marrë shumën prej rreth 600 000 lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri dhe Agustin Sula.

10. Më dt. 03.06.2014, në orët e drekës, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar dhe të armatosur, i pikës së skrapit në rrugën dytësore Vorë-Marikaj, në pronësi të shtetasit R. Z., ku kanë marrë shumën prej 150 000 lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri dhe Agustin Sula.

11. Në datë 26.11.2014, rreth orës 17:30, është kryer vjedhja e banesës së shtetasit K. G., ndodhur në fshatin Kallmet, Lezhë, ku kanë marrë shumat prej 1 000 000 lekë dhe 5000 USD. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit nën hetim Agustin Sula, Angjelin Ndreka dhe Lin Kala. Gjatë vjedhjes, i dëmtuari ka qënë në banesën e tij së bashku me nënën dhe bashkëshorten.

Krahas vjedhjeve të mësipërme, të kryera në Shqipëri, grupi ka realizuar edhe dy vjedhje në Maqedoni:

12. Në datë 30.04.2014  është vjedhur argjendaria në pronësi të shtetasit R.H, ndodhur në Strugë, ku është marrë një sasi prej 5.5 kg flori. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Agustin Sula, Fatmir Pjetri, Miljan Elezi ose i quajtur Artur Tafani, Mark Shpendi dhe Dritan Kola. Këtë vjedhje, autorët e kanë realizuar të veshur si femra. Gjatë vjedhjes ka pasur përplasje me armë me personat e argjendarisë dhe policisë maqedonase.

13. Në datë 29.07.2014 është vjedhur një argjendari, ndodhur në Dibër të Madhe, ku gjatë vjedhjes, autorët kanë shkëmbyer zjarr dhe është vrarë njëri nga bashkëpunëtorët në kryerjen e kësaj vjedhjeje, shtetasi Miljan Elezi (alias Artur Tafani). Në këtë vjedhje është marrë një sasi prej 12 kg flori. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Agustin Sula, Fatmir Pjetri, Miljan Elezi (alias Artur Tafani), Saimir Kala dhe Dritan Kola.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?