Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kosovë

Anëtarët e Listës Serbe japin dorëheqje nga KKZ-të në veri

8 Prill, 16:22| Përditesimi: 8 Prill, 16:24

  • Share

Katër anëtarë të Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ) nga partia Lista Serbe janë dorëhequr nga këto poste në katër komunat në veri të Kosovës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

“Në mbledhjet e kaluara, KQZ-ja ka funksionalizuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, duke caktuar katër zyrtarët ekzekutivë, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së si dhe ka marrë vendim për emërimin e 27 anëtarëve, të cilët përfaqësojnë subjektet politike parlamentare”, tha Elezi.

Ai shtoi se sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, KKZ-ja administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së.

Njoftimi për dorëheqjen e anëtarëve të KKZ-ve nga Lista Serbe vjen një ditë pasi kjo parti – që është partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe ka mbështetjen e Beogradit – tha se nuk do të marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Votimet për shkarkimin e kryetarëve të Zveçanit, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, janë caktuar të mbahen më 21 prill.

“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, tha kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, të dielën në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut.

Ai tha se janë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren” dhe se numri i shqiptarëve në listat e votuesve "është rritur".

KQZ-ja vendosi që votimi të mbahet më 21 prill, pasi i verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet për shkarkimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Nënshkrimet u mblodhën në mesin e muajit janar në përputhje me një udhëzim administrativ të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës, me qëllim që t'i hapte rrugën shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në komunat e veriut, për shkak se popullata vendase serbe nuk ka pranuar kryetarët shqiptarë.

Sipas udhëzimit, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Nisja e mandatit të tyre u përcoll me protesta dhe tensione majin e vitit të kaluar, që kulmuan me përleshje mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Zveçan më 29 maj./ REL

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?