“Tiranë nuk mund të presë as 7 ditë pa kryetar.”
Kjo deklaratë e kryeministrit 5 ditë më parë, ku kërkonte zgjedhje për bashkinë Tiranë me kandidate Ogerta Manastirliun, ka vënë në lëvizje strukturat bashkiake.
Anëtarët socialistë të këshillit janë thirrur nesër në një mbledhje në selinë qendrore të PS. Edhe pse nuk iu është dhënë arsyeja e takimit, të gjithë besojnë se në të do të diskutohet për fatin e kryebashkiakut Erjon Veliaj që prej 7 muajsh është në qeli e tashmë pret gjykimin.
Nuk ka ende një datë se kur këshilli bashkiak do të mblidhet për këtë çështje, por ligji parashikon se mbledhja duhet të njoftohet 5 ditë përpara.
Erjon Veliaj akoma nuk ka komentuar publikisht vendimin politik të Edi Ramës për shkarkimin e tij, por në çdo rast, nëse Këshilli e Shkarkon dhe kryeministri Rama e firmos, ai ka të drejtë ta kundërshtojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese.
Ligji thotë se në rast se Veliaj e kundërshton Ramën pranë kësaj gjykate, procesi duhet të pezullohet dhe zgjedhjet për zëvendësimin e tij, të mos zhvillohen.
Por si mund të bëhet shkarkimi i Erion Veliajt?
Shqiptarja.com, pak ditë më parë, publikoi një shkrim mbi mënyrat sesi Erion Veliaj mund të shkarkohet nga kreu i Bashkisë Tiranë. Një mundësi, është edhe futja në procedurë e një kërkese të depozituar më herët nga anëtarët e opozitës.
Këshilli në vendimmarrje pritet t’i referohet pikës c të nenit 62 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore” që thotë se Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave kur propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.
Megjithatë duhet thënë se në këtë nen ka paqartësi dhe interpretim të kuadrit ligjor, të cilin edhe vetë Rama e konstatoi se duhet rregulluar nga parlamenti i ri. Është e paqartë nëse mungesa në detyrë duhet të jetë e arsyetuar apo jo. A do ta rrezikonte pavarësinë e pushtetit lokal dhe do të ekspozonte ndaj ‘arbitraritetit’ ky boshllëk ligjor?
Megjithkëtë në këshillin bashkiak vendimmarrje për t’i propozuar qeverisë shkarkimin e kryebashkiakut do të duhet të marrë votën e shumicës së të gjithë këshilltarëve, pra 31 pro nga 61 anëtarë gjithsej. Pas votimit, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. Qeveria më pas vendos shkarkimin.
Por vendimi i qeverisë për shkarkimin e kryebashkiakut mund të mos jetë fjala e fundit. Neni 115 i Kushtetutës e thotë qartë se Kryetari i bashkisë ka të drejtë ta ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh, dhe në këtë rast vendimi i qeverisë do të pezullohej, deri në një vendimmarrje të gjykatës më të lartë në vend. Pra do t’i takonte Erion Veliajt nëse do ta ndiqte këtë procedurë nga ana ligjore dhe kushtetuese.
Në rast se ankimi nuk ndodh, atëherë i hapet rrugë zgjedhjeve të reja, të cilat Presidenti i Republikës do të duhet t’i shpallë menjëherë sapo të informohet për vakancën.
Për periudhën deri në zgjedhjen e kryebashkiakut të ri, kryeqyteti do të drejtohej nga një prej nënkryetarëve, tashmë i zgjedhur nga Këshilli Bashkiak. E mandatuara si ushtruese e detyrës nga Veliaj, Anuela Ristani, nuk do të ishte më, fakt të cilin duket se e pranoi edhe vetë kur përmes një postimi falënderoi Veliajn dhe Ramën për mundësinë.
Komente

Erjon Veliajt,i'u bë kompllot nga persona brënda dhe jashtë partisë,të lidhur me drejtësin,për ta nxjer jashtë politikës.Persona ziliqar,dhe të pabesë,që nuk arritën ta mundnin me votë,por arritë të sajonin Nesti Agollin ( Olsi Dadon).
Përgjigju