TIRANË- "Nëse do ketë tentativë për të deformuar vullnetin e demokratëve në 13 qershor, atëherë nuk do ketë votim në atë qendër votimi"! Është kjo deklarata e fortë e anëtarit të grupimit për PD-në, Indrit Hoxha në një intervistë për "Sot Live në Shqipëri" në Report Tv, duke thënë se do të ndiqen 3 hapa: Konfiskimi i kutisë së votimit, ndërprerja e procesit të votimit dhe ribërja e zgjedhjeve në një datë tjetër. Për këtë deklaratë, Hoxha tha se nuk është si premtimi i Bashës për zgjedhjet e 30 qershorit, por do e bëjnë realitet dhe do i japin kryedemokratit "një mësim të mirë".
"Nëse do shikojmë që në 13 qershor do ketë tendenca për të deformuar vullnetin e votuesve, nuk do ketë votim në ato qendra votimi dhe nuk është një premtim sic i ka thënë Basha nw 30 qershor. Nëse do mundohet të manipulohet ajo qendër votimi do konfiskohet, atë që Basha premtoi në 30 qershor dhe nuk e mbajti, ne do i tregojmë si bëhet, çdo kuadër ligjor dhe politik. Basha shet e blen njerëz, demokratët as nuk shiten dhe as nuk blihen. Konfiskim i kutisë, ndërprerja e procesit dhe ribërja e zgjedhjeve në një datë tjetër. Nëse do ketë manipulim, Basha t'i marrë mirë parasysh pasojat. Protesta? Çdo gjë është e hapur, nuk mohojmë asnjë opsion", tha Hoxha në Report Tv.
Hoxha tha se me Bashën nuk kanë asnjë urë kominikimi pasi ky i fundit i ka shkatërruar të gjitha format, teksa tha se me organizimin e zgjedhjeve brenda partisë po i jep një shembull 'shumë të mirë Ramës se si të vjedhë zgjedhjet e ardhshme'.
"Me Bashën nuk kemi asnjë lloj ure komunikime, ai e ka shembur këtë urë me të gjitha veprimet politike, ishte detyrim moral dhe politik pas zgjedhjeve, nuk tregoi ekip, bëri fushatë "one man show". U habitëm pse kaq shpejt u afrua data e zgjedhjeve, komisioni i PD i njëanshëm, pse nuk i bën brenda shtëpisë së vet zgjedhjet e lira, se po i jep shembullin më të keq Ramës se si të manipulojë zgjedhjet e ardhme, ne s'kemi ngritur Gjykatën brenda PD, është skandal i madh. Institucionet e PD kanë rënë dhe dalin e flasin për institucionet shtetërore kur s'i kemi brenda shtëpisë sonë, ne duhet të tregojmë që jemi model", tha Hoxha.
Duke e akuzuar si komunist brenda partisë, Hoxha shtoi se ai nuk gëzon më as mbështetjen e demokratëve.
"Basha po sillet si një komunist brenda partisë . Si kërkon që të ngrihet Gjykata Kushtetuese, kur nuk ka vetë një Gjykatë brenda partisë? Sallat tona kanë qenë më të mbushura e Basha dhe kjo është një sinjal shumë i qartë për Bashën. Në 2013 thanë se janë 103 mijë anëtarë, tani rreth 78 mijë. Pse kanë ikur këto, të katërt kandidatët kanë mbushur sjelljet më shumë se Basha", përfundoi Hoxha.