Ekonomi

Angazhimi i NATO-s, brenda 2035-ës, Shqipëria 1.7 mld € buxhet për mbrojtjen (Si shpërndahen)

27 Qershor, 16:53| Përditesimi: 27 Qershor, 21:17

  • Share

Për armatime, mjete ushtarake, arsim apo mbrojtjen civile, të gjitha këto nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes, Shqipëria do të harxhojë këtë vit 520 milionë euro ose 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke përmbushur detyrimin aktual të NATO-s.

Por me vendimin e marrë në Samitin e Hagës nga 32 krerët e shteteve anëtare të NATO-s, deri në 2035-ën, ky buxhet duhet të arrijë në 5% të Prodhimit Kombëtar.

Ky objektiv do të implementohet i ndarë në dy kategori. Pjesa dërrmuese, pra 3.5% do t’i takojë si buxhet i dedikuar Ministrisë së Mbrojtjes. Duke marrë në referencë PBB-në aktuale të Shqipërisë 26 miliardë euro, për të përmbushur këtë detyrim, duhet që buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes të rritet nga 520 milionë euro që është këtë vit, në 910 milionë euro. Ky buxhet shtesë do të përdoret për mbrojtje thelbësore, siç janë trupat, armët apo mbështetje të tjera për luftimin.

Pjesa tjetër e 5 përqindëshit të madh, 1.5% e PPB-së do të duhet t’i akordohet buxheteve të ministrive të tjera. Përkthyer në shifra, 390 milionë euro (1.5% e PPB) do të shpenzohen për investime më të gjera në mbrojtje dhe siguri: siç është përshtatja e rrugëve, urave apo porteve për përdorim nga automjetet ushtarake, si dhe për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e tubacioneve në fushën e energjisë.

Këto shpenzime për mbrojtjen, 1.3 milard euro në total, pritet të rriten edhe më tej brenda kësaj dekade, nëse sipas premtimit të socialistëve, prodhimi kombëtar arrin 35 miliardë euro në vitin 2030. Buxheti 5% për mbrojtjen sipas angazhimit të NATO-s, shkon deri në 1 miliardë e 750 milionë euro në total.

Aktualisht Shqipëria ka hyrë në një fazë ku synon të ringrejë edhe një herë industrinë ushtarake duke vënë në punë ndërmarrjet shtetërore si Uzina e Lëndëve Plasëse Mjekës Elbasan, Uzina Mekanike Gramsh dhe Kombinati Mekanik Poliçan. Të treja këto ndërmarrje do të kalojnë në varësi të kompanisë shtetërore ‘KAYO’ për prodhim të pajisjeve e materialeve ushtarake.

 

 

G.M./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Or tej: 27/06/2025 19:21

    Erdhi edhe dita qe te fillojme ta paguajme Nato-n. E deshem bicikleten, tani ti japim pedaleve or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rreziku për aksidente, a duhet ndaluar përdorimi i monopatinave?