Angel Postecoglou, trajneri i Tottenham foli pas finales së Europa League, të fituar 1-0 nga ekipi i tij kundër Manchester United në Bilbao. Duke folur në konferencën për shtyp, ai tha se nuk kishte bisedime të planifikuara me klubin për të ardhmen e tij. Trajneri shtoi se ai ka një projekt fitues, gjë që e ka bërë edhe në klubet e tjera.
59-vjeçari shtoi se ky trofe është një e dhënë e mirë për të ardhmen, teksa nga sezoni i ri Spurs do jenë pjesë e Champions League. Këtë të drejtë londinezët e kanë fituar nga ky trofe, pasi në kampionat e mbyllën në vendin e 17-të; duke shënuar një nga sezonet më të dështuara.
“Unë e kuptoj pse do të ishte e vështirë për një klub si ky të blejë vizionin e një personi. Unë jam një fitues. Unë kam qenë një fitues serial gjatë gjithë karrierës sime. Kjo është ajo që kam bërë më shumë se çdo gjë tjetër”, tha greko-australiani.
Trajneri foli edhe për grupin e lojtarëve dhe sezonin e keq në Premier League.
“Duke parë se si kanë shkuar gjërat në Premier League, njerëzit kanë të drejtë të shqetësohen, por nuk mendoj se kjo është një pasqyrim i vërtetë i asaj se ku jemi. Ne kemi një grup lojtarësh të rinj dhe ju mund të flisni me ta për suksesin dhe çfarë do të thotë ai”, shtoi Postecoglou.
Numri një i stolit të Tottenham mendon për të ardhmen dhe "gurët e themelit" që ka hedhur.
“Unë nuk kam asnjë dyshim se të gjithë ata djem, që kanë këtë ndjenjë, do ta duan përsëri. Për ta marrë atë trofe përsëri, ata do të duhet të bëjnë sakrifica të ngjashme. Ata janë ngjitur në majë tani. Ata e dinë se çfarë duhet për të arritur atje ku jemi. Kjo përshpejton mundësitë për të ndërtuar një ekip që mund të jetë i suksesshëm dhe të luajë në një standard të lartë për vitet në vijim”, tha më pas Postecoglou.
Trajneri e ceku edhe pritjen e klubit prej 17 vitesh për një trofe.
“Ky është trofeu i parë që Tottenham fiton që nga viti 2008 dhe do t’i shohë ata të konkurrojnë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, duke sjellë rritje të të ardhurave për klubin. Kjo mund të jetë një platformë e shkëlqyer për ne për të nisur dhe trofeu do ta ndihmojë klubin në të ardhmen”, tha trajneri i Spurs.
Me këtë sukses Tottenham do jetë pjesë e Champions League nga sezoni i ri, teksa nuk fitonte një trofe evropian prej 1984-ës.
Komente
