Refuzimi për t’u vetizoluar, nga sot konsiderohet vepër e paligjshme në Angli dhe mund të dënohet me gjobë deri në 10,000 euro.
Kushdo që del pozitiv me koronavirus ose i është thënë se ka qenë në kontakt me dikë që ka dalë pozitiv, tani e ka detyrim ligjor për t’u futur në karantinë.
Me vendimin e Qeverisë britanike, personat që nuk e zbatojnë udhëzimin për vetizolim, do të ndëshkohen me gjobë që nis nga 1,000 euro dhe që mund të rritet në 10,000 për shkelje të përsëritura ose shkelje serioze.
Njerëzit me të ardhura të ulëta, që nuk mund të punojnë dhe i humbasin të ardhurat teksa vetizolohen, do të kompensohen me 500 euro.
Gjobat e reja janë "një shenjë e qartë se nuk do t’i lejojmë ata që i shkelin rregullat, ta zmbrapsin përparimin e bërë në situatën e emergjencës shëndetësore nga shumica që i bindet ligjit", tha sekretarja britanike për çështje të brendshme, Priti Patel.
Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, tha se qeveria “nuk do të hezitojë” të ndërmarrë masa të mëtejshme nëse numri i rasteve me koronavirus vazhdon të rritet.
Vendimi për gjobat vjen pasi një studim i porositur nga Qeveria britanike, zbuloi se vetëm 18% e njerëzve që kanë pasur simptoma të koronavirusit, janë vetizoluar.
Mbretëria e Bashkuar, sikurse një pjesë e madhe e Evropës, ka pasur rritje të numrit të rasteve pozitive në javët e fundit.
Në total, autoritetet kanë konfirmuar mbi 437,000 raste pozitive dhe mbi 42,000 viktima.