Angli - Një 27-vjeçar me origjinë shqiptare është dënuar me pesë vite burg në Angli, pas një hetimi të kryer nga Policia e Thames Valley lidhur me një aksident të rëndë dhe mashtrim sigurimesh në qytetin e Oxfordit.
Besjan Karaj, banues në Field Avenue, Oxford, u dënua të premten (26 shtator) nga Gjykata e Lartë e Oxfordit. Përveç burgut, ai u pezullua nga e drejta e drejtimit të automjeteve për 5 vite e gjysmë, dhe do të duhet të kalojë një test të avancuar për të rimarrë patentën.
Karaj u deklarua fajtor për një akuzë të shkaktimit të lëndimeve përmes drejtimit të rrezikshëm dhe një tjetër për mashtrim me përfaqësim të rremë ndaj kompanisë së sigurimeve.
Më 13 korrik 2024, Karaj po drejtonte makinën e tij në rrugën B4017, kur në një kthesë me shpejtësi të lartë hyri në korsinë e kundërt dhe u përplas me një motorist 22-vjeçar. Ai u largua nga vendngjarja pa ndaluar, duke e lënë 22-vjeçarin të plagosur rëndë.
Policia, pasi mbërriti në vendngjarje, arriti të rindërtojë ngjarjen përmes copave të mbetura të automjetit, përfshirë targën dhe logon e makinës, të cilat çuan në identifikimin e automjetit - i cili u gjet vetëm një milje larg, në flakë.
Pas hetimeve të kryera u zbulua se i riu shqiptar kishte qenë i pranishëm edhe pranë vendit ku makina u dogj. Më pas, kur 22-vjeçari kërkoi dëmshpërblim nga kompania e sigurimeve, Karaj pranoi se ishte drejtuesi i mjetit, por tentoi të fajësonte motoristin për aksidentin. Ai u arrestua më 2 janar të këtij viti dhe u akuzua një ditë më pas.
“Jam i kënaqur që Karaj u shpall fajtor dhe mori një dënim me burg. Kjo është një dëshmi se ne do të punojmë pa u lodhur për të zbardhur të vërtetën dhe për të sjellë drejtësinë për viktimat. Ky vendim tregon se askush nuk është mbi ligjin – veçanërisht ata që rrezikojnë jetën e të tjerëve në rrugë”, tha hetuesi PC Matthew Stansfield nga Njësia e Policisë Rrugore.
Komente
