Klubet e Premier League në Angli do të mbajnë një votim në mbledhjen e tyre të përgjithshme vjetore muajin e ardhshëm mbi një propozim për të hequr sistemin e video asistent referee (VAR) nga fillimi i sezonit të ardhshëm. Do të duhen 2/3 e votave ose 14/20 që propozimi të kalonte.
VAR është përdorur në ligën angleze që nga viti 2019, duke ndihmuar në përmirësimin e vendimmarrjes, por edhe duke gjeneruar polemika të vazhdueshme.
Sezoni 2023-24 ka shfaqur shumë incidente të diskutueshme, të cilat kanë rritur kritikat ndaj VAR-it dhe kanë bërë që disa ekipe dhe tifozë të vënë në dyshim integritetin e garës.
Një rezolutë është dorëzuar zyrtarisht në Premier League nga Wolverhampton Wanderers që bën thirrje që VAR të hiqet këtë verë dhe kjo do të shkaktojë një votim kur përfaqësuesit e 20 klubeve të mblidhen për mbledhjen e tyre vjetore, në Harrogate më 6 qershor.
Një deklaratë e Wolves tha se lëvizja erdhi “pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe me respektin më të madh për Premier League, (trupin e arbitrave) dhe konkurrentët në garë.
“Nuk ka asnjë faj për t'u hedhur, ne të gjithë po kërkojmë vetëm rezultatin më të mirë të mundshëm për futbollin dhe të gjithë palët e interesuara kanë punuar shumë për të bërë një sukses futjen e teknologjisë shtesë.
Megjithatë, pas pesë sezonesh VAR në Premier League, është koha për një debat konstruktiv dhe kritik për të ardhmen e saj. Qëndrimi ynë është se çmimi që po paguajmë për një rritje të vogël të saktësisë është në kundërshtim me frymën e lojës sonë dhe si rezultat ne duhet ta heqim atë nga sezoni 2024/25 e tutje”, thotë Wolves.