Një shqiptar i dënuar nga ish- Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, pasi planifikoi të shpërthente një bombë në një stadiumin Roza Haxhiu të Lushnjës po apelon vendimin e refuzimit të azilit.
Maksim Çela një prej besnikëve të Aldo Bares pretendon se do të “ekzekutohet për hakmarrje” nga grupet rivale nëse kthehet në Shqipëri.
Maksim Çela, 59 vjeç, udhëtoi për në Mbretërinë e Bashkuar me një pasaportë false për tu bashkuar me familjen e tij pasi kreu 23 vite burg për vrasjen e një policit Klenti Bano më 14 Prill 2000 dhe për aktivitete të tjera të lidhura me bandën kriminale të Lushnje.
Shqiptari pretendon se “grupe të tmerrshme bandash” do ti vihen pas për të zgjidhur një “gjakmarrje” nëse nuk lejohet të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar.
Avokatët e Home Office Ministrisë së Brendshme britanike, thanë në procesin gjyqësor se ai është një “terrorist i dhunshëm” që duhet të dëbohet.
Në një gjykatë imigracioni të nivelit të dytë në Londër, Çela ishte prezent dhe tha se ishte dënuar gabimisht për krimet dhe se ndjekja e tij kishte qenë e motivuar politikisht.
Avokatët e Home Office thonë se ai e shpiku historinë pasi mësoi se akti i tij i rëndë nënkuptonte se ai nuk do të ishte në gjendje të kërkonte azil.
Çela, i lindur në qytetin shqiptar të Lushnjës, pretendon se dikur ka qenë biznesmen dhe ka drejtuar një biznes shitje makinash në Gjermani si dhe ka punuar në një klinikë dentare dhe një spital.
Gjykata dëgjoi se ai kishte planifikuar të shpërthente një bombë në një stadium futbolli me 12,000 vende në vitin 2000. Pas zbulimit të komplotit në vitin 2001, një gjykatë shqiptare e dënoi atë me pesë vite burg.
Ai u dënua me 25 vjet burg në shtator 2006 për “pjesëmarrje në organizata kriminale”, vrasjen e një oficeri policie dhe prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve.
Ai u lirua në dhjetor të vitit 2022, pasi kishte kryer më shumë se 23 vite nga dënimi i tij 25-vjeçar.
Në dhjetor 2022 ai u largua nga Shqipëria për në Spanjë, udhëtoi për në Itali dhe më pas fluturoi për në Mbretërinë e Bashkuar me atë që ai pranoi se ishte një pasaportë false, duke mbërritur në Heathroë në janar të vitit 2023.
Kur u intervistua fillimisht nga Zyra e Brendshme, Çela pohoi se “tre grupe të tmerrshme bandash” po i “vinin pas” atij dhe familjes së tij, sepse kishte qenë anëtar i “bandës së Lushnjës”.
Në një letër drejtuar gjykatës të shkruar në emër të tij thoshte se anëtarët e bandës rivale do ta “ekzekutonin atë për hakmarrje” nëse ai kthehej.
Çela që atëherë ka ndryshuar historinë e tij, thonë avokatët e Home Office, duke pretenduar se ai kurrë nuk ishte me të vërtetë një anëtar i bandës.
“Ishte i motivuar politikisht”, tha Çela, i cili përfaqësoi veten në seancë dhe foli përmes një përkthyesi. “Unë isha thjesht një biznesmen”, shtoi ai.
Shqiptari i tha gjykatës se kishte pasur katër tentativa për ta vrarë gjatë kohës që ishte në burg.
Zyra e Brendshme thotë se ai e ka ekzagjeruar kërcënimin nga bandat rivale dhe mund të marrë mbrojtje nga autoritetet shqiptare ose të zhvendoset në një zonë tjetër të vendit nëse dëbohet.
Paul Skinner, që përfaqësonte Home Office, e pyeti Çelën: “Është e drejtë që je dikush që bën dhe thotë çfarë duhet për të marrë atë që dëshiron, apo jo?
“Ju vërtet dëshironi të qëndroni në MB për të qenë me gruan dhe vajzën tuaj dhe jeni të gatshëm të bëni gjithçka që duhet për të qëndruar.
“Shteti shqiptar po ndërmerr hapa për të shmangur rreziqet me të cilat mund të përballet zoti Çela”, shtoi Skinner.
Kërkesa e Çelës për azil u refuzua nga një gjyqtar në gjykatën e emigracionit të nivelit të parë, por një pretendim i veçantë se jeta e tij ishte në rrezik nga bandat rivale u pranua.
Pretendimi i tij bazohej në nenin e tretë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili ndalon “torturën, trajtimin apo dënimin çnjerëzor ose poshtërues”.
Pas një apeli nga Zyra e Brendshme, një panel gjyqtarësh anuloi vendimin, duke thënë se kishte pasur një “gabim ligjor”.
Gjykata e nivelit të dytë të emigracionit tani do të marrë vendimin i cili shpallet në ditët në vijim nëse Çela mund të qëndrojë në Angli ku më parë kishte emigruar bashkëshortja dhe e bija e cila ka profesionin e avokates.
Mbërritja e Maksim Çelës në Angli u zbulua nga gazetarët e The Sun të cilët ndërmorën një betejë ligjore 13 mujore për ti hequr Çelës anonimatin e dhënë nga gjykata e shkallës së parë të emigracionit./Top Channel
Komente
