Zyra e Imigracionit në Britani (Home Office) nuk reagoi ndaj paralajmërimeve për gjendjen e rënduar psikologjike të Leonard Farrukut, një 27-vjeçari shqiptar që humbi jetën në barkën e akomodimit Bibby Stockholm, u dëgjua sot në një seancë hetimore në Bournemouth, Dorset.
Ekspertiza mjeko-ligjore tregoi se i riu kishte vdekur si pasojë e mbytjes me litar.
Fillimisht, Farruku jetonte me dy kushërinj në Mbretërinë e Bashkuar, por më pas u vendos në një qendër strehimi për azilkërkues të menaxhuar nga kompania Clearsprings Ready Homes. Atje, sipas dëshmive, ai nisi të shfaqte sjellje agresive, si thyerje mobiljesh, grindje me banorë të tjerë dhe fyerje ndaj stafit. Në një rast tjetër, ai kishte bërë edhe komente me natyrë seksuale ndaj një gruaje.
Shefja e ekipit të mbrojtjes, Nia Dowd, tha në gjykatë se i kishte dërguar “me urgjencë” një email Home Office duke ngritur shqetësime për shëndetin e tij mendor. Ajo e cilësoi Farrukun si një person me “probleme serioze mendore”. Por, sipas saj, nuk pati asnjë përgjigje nga autoritetet dhe nuk u mor asnjë masë.
Në dhjetor 2023, Leonard Farruku u gjet i pajetë në një kabinë dushi në bordin e Bibby Stockholm, ku ishte transferuar një muaj më parë së bashku me dhjetëra azilkërkues të tjerë.
Motra e tij, Marsida Keci, së bashku me një të afërme tjetër, kanë pyetur pse vëllai i tyre, i cili vuante prej kohësh nga probleme të rënda psikologjike pas humbjes së prindërve, u lejua të zhvendosej në një strukturë të tillë.
Hetimi zbuloi gjithashtu se Farruku kishte shprehur dëshirën të kthehej në Shqipëri për të marrë trajtim mjekësor, por më vonë kishte ndryshuar mendim. Ai kishte refuzuar edhe ndihmën e shërbimeve të shëndetit mendor dhe nuk kishte marrë pjesë në një takim me një ekip specialistësh të dërguar në hotel.
Dowd tha se kishte mësuar për vdekjen e tij vetëm nga gazetat dhe se, nga sa di ajo, Home Office nuk kontaktoi asnjëherë me kolegët e saj në Clearsprings për të diskutuar rastin.
“Nuk ishte në rolin tim të sfidoja vendimet që merr Home Office,” tha ajo.
Hetimet për rastin vazhdojnë./ BBC
Komente
