Anglishtja në klasat e para, mësuesja: U prit me entuziazëm te fëmijët! Psikologia: Ndikon teknologjia! Fëmijët: E mësojmë edhe nga telefoni

4 Dhjetor 2023, 09:08| Përditesimi: 4 Dhjetor 2023, 09:14

  • Share

“Unë i kam mësuar të tëra, të tëra, të tëra fjalët në anglisht...”

Rioni është vetëm 6 vjeç dhe në klasë njihet si djaloshi që flet më mirë anglisht se shqip. E ka ndihmuar fakti se që në moshë të vogël ka parë kukulla dhe programe për fëmijë në telefonin e prindërve dhe në Youtube. Po sa të vështirë e kanë 6-vjeçarët në përgjithësi ta përvetësojnë gjuhën e huaj në një kohë kur sapo nisin të mësojnë alfabetin mëmë?

“Është pak e vështirë sepse ata sapo kanë nisur të mësojnë alfabetin e gjuhës shqipe, por e përvetësojnë shpejt pasi kanë dëshirë dhe entuziazëm. Duan të mësojnë gjëra të reja dhe një ndër to është anglishtja”

Amelia, e cila krahas shkollës e mëson anglishten në “afterschool”, por e has atë edhe gjatë përdorimit të teknologjisë, duket se nuk e ndjen të nevojshme ndihmën e prindërve, pasi ka parë materiale në anglisht në kompjuter dhe telefon.

“Ne mësojmë ngjyrat, numrat dhe nuk është fare e vështirë”.

Gazetari: Po mami me babin dinë anglisht të ndihmojnë në shtëpi?

“Nuk dinë ata, fare”.

Psikologia Erisa Aliaj, thotë se teknologjia ka ndikim të madh pozitiv për përvetësimin e gjuhës angleze tek fëmijët.

“Unë si psikologe dhe si drejtuese e një afterschool-i, kam të bëjë çdo ditë me fëmijë dhe vihet re një diznivel i përvetsimit të gjuhës angleze. Fëmijët që përdorin teknologjinë kanë një përvetësim dhe përdorim të mirë të gjuhës angleze, ndërsa fëmijët e tjerë kanë vështirësi për ta perceptuar dhe përftuar anglishten”.

“Edhe telefoni edhe televizori më kanë ndihmuar të mësoj anglisht”.

Libri i gjuhës angleze për klasat e para, u mëson fëmijëve fjalët bazike, numrat, ngjyrat, apo pjesëtarët e familjes. Disa prej tyre janë përballur me këto fjalë edhe në kopësht apo parashkollor, çka i ka ndihmuar ata që ta përvetësojnë më mirë.

“Unë për herë të parë e kam mësuar në kopsht, po vazhdoj ta mësoj edhe në shkollë.

Krahas ndihmës që telefoni, kompjuteri apo televizori japin në mësimin e gjuhës së huaj, mjekët apelojnë për përdorim të kontrolluar të këtyre pajisjeve me qëllim shmangien e dëmtimeve të shikimit.  

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?