Anija “Lissus” P-133 pjesë e misionit në detin Egje zhvilloi një operacion kërkim-shpëtimi (SAR) në bashkëpunim me Rojen Bregdetare Turke.
Lajmin e bëri me dije Forca Detare në një postim në rrjetet sociale ku theksohet se në bord ndodheshin 25 persona me kombësi afgane dhe siriane,8 meshkuj, 9 femra, 8 fëmijë.
"Gjatë patrullimit, efektivi i P-133 konstatoi një gomone me emigrantë e nisur nga brigjet turke, duke ndërhyrë menjëherë për t’u ardhur në ndihmë. Në bord ndodheshin gjithsej 25 persona me kombësi afgane dhe siriane,8 meshkuj,9 femra, 8 fëmijë.
Falë veprimit të shpejtë dhe bashkëpunimit në kohë operacioni u përmbyll me sukses, duke siguruar shpëtimin dhe transportin e tyre drejt autoriteteve përgjegjëse.
Ky është një tjetër dëshmi e përkushtimit të Forcës Detare për të garantuar sigurinë e jetës në det dhe forcimit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë", thuhet në njoftim.
Komente
