Durrës- I është konfirmuar hyrja për ditën e nesërme, rreth orës 07:00 të mëngjesit në Portin e Durrësit, anijes që bëri transportin e mbetjeve që dyshohen të dëmshme.
Vendimi sapo është konfirmuar dhe përcjellë, ndërkohë nesër paradite bëhet me dije se do të procedohet më tej.
Lajmi nuk është njoftuar ende zyrtarisht nga autoritetet, por burimet për Report TV dhe Shqiptarja.com shprehen se është dhënë leja për ngarkesën me 2100 tonë, e vendosur në 102 kontejnerë.
Prokuroria e Durrësit ka urdhëruar zbarkimin dhe mbajtjen e 102 kontejnerëve të anijes “Moliva” në një vend të sigurt, larg nga zonat e banuara, të ruajtura mirë dhe me kushte sigurie fizike dhe shëndetësore, teksa po kryhen paralelisht hetime dhe analiza.
Anija mbërriti mëngjesin e 28 tetorit 2024, në radën e jashtme të portit detar të Durrësit. "Moliva XA 443 A" transporton kontejnerët që kanë jellë mbrapsht 2100 tonë me mbetje industriale që dyshohet se përmbajnë lëndë të rrezikshme.
Në bordin e anijes ne flamur turk gjenden edhe 102 konteinerët, të cilët përmbajnë mbetjet e furrave të shkrirjes të kombinatit metalurgjik në Elbasan të kompanisë Kurum. Ato ishin blerë dhe transportuar nga shoqëria "Sokolaj sh.p.k".
Prokuroria po i heton të dyja kompanitë dhe rastin prej muajit Gusht të këtij viti, kur u publikua ngjarja nga "Rrjeti i Bazelit" BAN. Kurse më 27 Tetor nxori urdhrin për zbarkimin e kontejnerëve në vend të sigurt dhe me ruajtje e kushte të larta sigurie.
Zbarkimi pati vonesa, pasi nuk u gjet shpejt vendi i sigurt për t'u vendosur kontejnerët dhe Autoriteti Portual i ktheu përgjigje organit të akuzës.
Edhe sot në Parlament, kjo çështje u diskutua, teksa deputeti Agron Shehaj i kërkoi sqarime ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha se çfarë po bëhej me mbetjet, kurse ministri iu përgjigj se po procedohet.