Anija kroçierë “Nautica” është ankoruar sot në portin e Durrësit.
Në bord janë 676 turistë nga SHBA, Australia dhe vende të tjera të botës.
Turistët kanë e eksploruar sitet historike të qytetit bregdetar dhe bukuritë e zonave përreth.
Lajmi për ankorimin e anijes në Durrës u bë me dije nga kryeministri Edi Rama.
“676 turistë nga SHBA, Australia dhe vende të tjera të botës, janë ndalur këtë fundjavë në Portin e Durrësit me anijen kroçierë “Nautica”, ndërsa kanë eksploruar sitet historike të qytetit bregdetar dhe bukuritë e zonave përreth, duke përjetuar edhe mikpritjen e pashoqe shqiptare, shkroi Rama në rrjetet sociale krah fotove të anijes.
Ndërkohë Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se “gjatë fundjavës, janë regjistruar 8,065 pasagjerë që kanë mbërritur në Durrës nga Italia dhe 2,494 pasagjerë që janë nisur nga Durrësi drejt porteve italiane”.
“Këto lundrime dyfish (vajtje-ardhje brenda ditës) do të vijojnë sipas grafikut të planifikuar nga kompanitë e lundrimit, deri në përfundim të fluksit sezonal”, theksoi APD.
Porti i Durrësit mbetet një pikë kyçe për udhëtimet detare të qytetarëve dhe turistëve, duke ofruar lehtësi në udhëtim dhe përmirësim të vazhdueshëm të shërbimeve portuale.
Komente
