Anira Gjoni për Report Tv: Këtë javë vala e dytë e të nxehtit, temperatura deri në 40 gradë

8 Korrik, 16:21| Përditesimi: 8 Korrik, 16:38

  • Share

Java e dytë e muajit korrik ka nisur me temperatura të larta, dhe sipas specialistëve të IGJEUM pritet që nga kjo e mërkurë e deri me datë 15 temperaturat do të shënojnë deri në 40 gradë celsius.

Kështu deklaroi ditën e sotme meteorologia Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’, me gazetarin Nertil Agalliu, në Report Tv.

"Kjo javë presim që të përballemi me një valë të të nxehtit që ka nisur ditën e sotme, ndërsa piku pritet të mërkurën, të enjten dhe të premten ku temperaturat priten të shkojnë deri në 40 gradë Celcius. Është një masë ajri e nxehtë që kalon përgjatë ditës së sotme dhe të nesërme në Itali dhe më pas në Ballkan dhe prek edhe Hungarinë dhe Poloninë. Për vendin tonë datat 8-15 presim të ketë temperaturat më të larta gjatë këtij muaj. Këto temperatura përveçëse maksimaleve do të jenë shumë të larta në zonat bregdetare dhe të ulëta dhe minimalet gjatë natës do të jenë 24 gradë", tha Gjoni.

Më tej ajo theksoi se cilat janë qarqet që do të përballen me temperatura të larta.

"Qarqet që do të përballen me temperatura të larta do të jenë Fieri, Berati, Elbasani, Tirana, Gjirokastra dhe Vlora. Gjithashtu kanë edhe rrezikun e lartë përsa i përket zjarreve", shtoi ajo.

Ndërkohë edhe zonat malore priten që të preken nga këto temperatura.

"Në zonat malore që maksimumi të shkojë të premten 36 gradë ndërsa në minimalet e natës pritet të jetë 18 gradë ditën e premte dhe të shtunë. Janë temperatura të larta përsa i përket këtyre zonave", tha Gjoni.

Po ashtu edhe java e ardhshme do të jetë e nxehtë ashtu si kjo javë.

"Temperaturat 40 gradë për muajin korrik janë karakteristike për klimën tonë. Ky pesë vjeçar i fundit me rritjen e temperaturave mesatare në të gjithë globin ka sjellë edhe rritjen e temperaturave mesatare në vendin tonë. Kjo javë do të jetë e nxehtë por nuk pritet që të kaloj ekstremitetin. Qershori ishte shumë i nxehtë përsa i përket ‘qershoreve’ të viteve të kaluara.

Ndërkohë korriku ka temperatura më të larta po ta krahasojmë me qershorin që është edhe muaji i parë i verës.  Përveç ditës së nesërme e marta do të regjistroj në juglindje disa reshje të dobëta, nuk presim të kemi reshje për ditët e tjera të javës. Edhe fillimi i javës tjetër do të jetë vazhdimi i kësaj vale të të nxehtit. E hëna dhe e marta do të kenë temperatura të larta", përfundoi ajo.

Xh.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?