Anisa Sala, artistja që ‘ngriti’ muret dhe personazhet e Rozafatit! Legjenda e moçme në Teatrin e Kukullave për Fëmijë!

17 Tetor 2023, 17:32| Përditesimi: 17 Tetor 2023, 20:29

  • Share

Në sallën “Tonin Harapi” ku është zhvendosur Teatri i Kukullave, Anisa Salën e gjejmë mes krijesave të saj skenike...

Aty është Roza, me flokë të arta e sykaltër, e bukur e zemërmirë, që sakrifikohet për të tjerët, Fati disi melankolik e i zënë në faj, vëllezërit  (Pali e Gjoka) dhe i moçmi.  Janë 5 protagonistët e shfaqjes që ajo, e frymëzuar nga folklori, i ka ndërtuar së bashku me skenografinë për shfaqjen “Roza dhe Fati”...

“Sapo e lexova tekstin u përfshiva kaq shumë në botën e këtyre personazheve, saqë nisa me mendime të udhëtoja pas në kohë, për ti sjellë sa më pranë legjendës, por njëherazi duke i përshtatur në kohë”, thotë artistja artistja Anisa Sala (skulptore, piktore).

Për afro një dekadë përvojë në Teatrin e Kukullave dhe Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, regjisorja Medi Gurra i ka besuar personazhet e legjendës së përshtatur nga Erion Kame.

“Unë kam përfunduar studimet pranë Universitetit të Arteve, për skulpturë dhe qeramikë, por pjesën e kukullave e kam mësuar vetëm përmes eksperiencës në Teatrin e Kukullave”, tregon ajo.

Puna me fëmijët, por edhe të qenit nënë e ka ndihmuar t’i bëjë personazhet sa më tërheqës për ta.

“Vazhdimisht edhe kur shikoj këto shfaqje ndihem shumë e emocionuar, se jam munduar të bëj maksimumin tim”, shprehet ajo.

Nga skicat, te boceti, gdhendja, ndërtimi i trupit e kostumet që i ka përshtatur me stilisten Edlira Sula, duke i afruar vogëlushët me etnografinë tonë...

“Tek veshja ne jemi përshtatur me traditën, janë veshje të pjesës së Shkodrës. Jemi munduar ti sjellim sa më mirë, që të vijnë siç duhet tek vogëlushët”, thotë Sala.

Shfaqja “Roza dhe Fati”, me të cilën Teatri i Kukullave çeli këtë sezon do të vijojë të shfaqet në Tiranë dhe rrethe.

“Ne duhet të bëjmë punë të bukura që na pasurojnë shpirtin tonë...”, shprehet artistja.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?