Turqia u ka bërë të ditur anëtarëve të tjerë të NATO-s se do të mbështesë kandidaturën e kryeministrit holandez Mark Rutte si Sekretar i ri i Përgjithshëm i Aleancës Atlantike.
Lajmi është bërë i ditur televizioni shtetëror turk Trt. Të premten e kaluar Rutte shkoi në Stamboll ku pati një takim me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan.
Gjatë takimit, kryeministri holandez e cilësoi Ankaranë si një "aleat vendimtar" në NATO, si dhe vlerësoi rolin e kreut të shtetit turk në përpjekjen për të gjetur një zgjidhje për konfliktet në Ukrainë dhe në Gaza.
Shefi aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka qenë në krye të aleancës më të madhe ushtarake në botë që nga viti 2014, është afër fundit të mandatit të tij ndërsa gjetja e një pasardhësi është urgjente veçanërisht në një kohë kur sfidat gjeopolitike janë të mëdha.
Një sërë emrash të tjerë janë përfolur për të zënë vendin e Stoltenberg si kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas, Ministri i Jashtëm letonez Krisjanis Karins dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Kjo e fundit shprehu dëshirën e saj për një mandat të dytë në punën e saj aktuale, por Rutte është deri tani pretendenti kryesor për të qenë shefi i ri i NATO-s.