140 fituesit e 11 majit nuk po e marrin dot zyrtarisht statusin e deputetit të zgjedhur. Ilirjan Celibashi nuk mund të shpërndajë mandatet dhe rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pa marrë përgjigje çdo ankesë e palëve, jo vetëm në Komisionin e Ankesave KAS, por deri në Kolegjin Zgjedhor.
Tashmë PD ka kundërshtuar rezultatin në 12 qarqet e vendit, duke kërkuar që zgjedhjet të shpallen të pavlefshme dhe të përsëriten.
Për çdo zonë zgjedhore, pretendimet janë të njëjta: Rama përdori shtetin, administratën dhe krimin për fitoren e tij, madje deformoi edhe votën e diasporës.
Këto pretendime PD i mbështet mbi raportin e OSBE-ODIHR, si dhe mbi dy kategori që i pretendon si prova të tjera:
Kategoria e parë, janë lajme të publikuara në media mbi veprime të institucioneve shtetërore, ku PS akuzohet për asfalt elektoral apo bonuse për kategori të caktuara.
Kategoria e dytë përfshin fotografi të ndryshme të bëra nga PD ose eksponentë të saj, që sipas tyre provojnë parregullësitë zgjedhore.
Megjithëkëtë, deri tani KAS nuk ka dhënë vendim ende për asnjë padi të PD-së. Komisioni i Ankesave ka pranuar vetëm të hapë të hënën një kuti votimi në Vlorë, me kërkesë të Adriatik Lapajt, i cili pretendon se ka parë fletë votimi pa vulën e KQZ.
Nga ana tjetër, shumë kandidatë të PD-së kërkojnë rinumërim të votave preferenciale me dyshimin se ju janë vjedhur votat.
Së fundmi, Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisandër Hoxha, i kërkuan KQZ-së rinumërim në Tiranë, ndërsa Aulon Kalaja kërkon hapjen e kutive për Durrësin.
Mjeku Alimehmeti nuk fitoi dot një vend në parlament edhe pse mori 18 mijë vota personale. Ai u mund të garën e brendshme nga Jorida Tabaku, e cila rezulton me një avantazh prej 2 mijë votash.
Komente
