TIRANË- Gjykata Kushtetuese po e shqyrton me përparësi ankimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për vendimin e shkarkimit nga Qeveria. Ky është reagimi i Gjykatës Kushtetuese për gazetaren e Report Tv, Esiona Konomi, e cila e pyeti nëse çështja po shqyrtohet me shpejtësi pasi Veliaj kërkoi në Kushtetuese edhe pezullimin e dekretit të Bajram Begajt për zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë.
“Çështja është në shqyrtim paraprak. Gjykata po e shqyrton çështjen me përparësi dhe do të ketë një vendim në ditët në vijim”, tha Kushtetuesja për Report Tv.
Këshilli i Ministrave shkarkoi më 25 shtator nga detyra me kërkesë të Këshillit Bashkiak të Tiranës Erion Veliajn. 4 ditë më vonë kryebashkiaku ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë. Veliaj pretendon për një proces të parregullt ligjor, pasi jo vetëm nuk është dëgjuar, por sipas tij nuk është marrë në konsideratë neni 115 i Kushtetutës, i cili parashikon se kryetari i bashkisë mund të shkarkohet për shkak të shkeljeve të rënda. Veliaj thotë se jo vetëm që nuk ka shkelje të provuara, por edhe mungesa e tij në punë, që u bë shkak për shkarkim, nuk varet nga vullneti i tij.
Edhe pse neni 115 pezullon shkarkimin e Veliajt, Begaj nuk priti Kushtetuesen dhe dekretoi datën 9 për zhvillimin e zgjedhjeve në Tiranë. Presidenca argumenton se pezullimi i shkarkimit do të vinte vetëm në rast se Veliaj do ishte ankuar në një Gjykatë Administrative, e do të kishte një vendim prej saj.
Nga ana tjetër, PS vijon punën për zgjedhjet në Tiranë, ku veç mbështetjes që Rama i ka kërkuar strukturave për kandidaten Ogerta Manastirliu, vetë kryeministri zgjodhi të shfaqej me të në një intervistë në podcastin "Flasim".
Komente
