Eksperti zgjedhor, Andon Kume thotë se ishte e pritshme që vota e diasporës nuk do të sillte ndryshime në mandate për faktin se ata numëroheshin sipas qarqeve. Në një intervistë për Report TV, eksperti u shpreh se diaspora ishte e suksesshme si proces i zhvilluar për herë të parë, pasi kishte rreth 200 mijë votues.
“Ne kishim numër të lartë të votuesve nga jashtë, mbi 190 mijë vota, që po ti përkthesh në shifra reale në Shqipëri është diku te 18-19 deputetë. Por duke qenë se votat ndahen në rajone, influenca e tyre bie në prodhimin e një deputeti dhe i vetmi rezultat ishte Vlora, ku PS iu shtua një mandat nga diferenca e votave që prodhoi diaspora. Me votën e diasporës, Xhaçka fitoi kundrejt Gjylametit por diferenca mes Gjylametit dhe Xhaçkës në Tiranë para se të numërohej vota e diasporës ishte minimale. Me numërimin e diasporës, situata ndryshoi dhe sot kemi Xhaçkën rreth 100 vota përpara Gjylametit. Shifrat tregojnë se midis të dyjave më shumë është punuar nga Xhaçka në diasporë, duke marrë parasysh se Xhaçka ka pasur efekt tjetër të votave brenda vendit në zonën ku ajo kandidonte. Ka kompensuar votat e humbura në Shqipëri me ato të marra jashtë shtetit. Nuk besoj se vota e diasporës do të sillte ndryahim të madh.”, u shpreh Kume.
Duke u ndalur te akuzat e opozitës për votën e diasporës, kryesisht Greqinë, ai tha se është shqetësuese pasi kontrata ishte që dërgimi dhe marrja e zarfeve duhet që të bëhej vetëm nga kompania postare DHL. Ai thotë se për të shmangur një votim të tillë me postë, që kushton shumë, në zgjedhje të tjera mund të aplikohet ngritja e qendrave të votimit në vendet ku ka prezencë më të madhe të emigrantëve shqiptarë.
Ai përmendi rastin e Bullgarisë, që sipas tij, ngre qendra votimi për minoritetin e saj në vendin tonë. Këto qendra monitorohen sipas legjislacionit bullgar. Një shembull i tillë, thotë ai, duhet të ndiqet nga Shqipëria.
“Çështja e Greqisë është shqetësuese sepse kontrata që KQZ ka bërë me DHL nuk parashikon që t’ia delegonte detyrën e saj një kompanie tjetër. Nga informacionet që kemi, DHL në Greqi por edhe në dërgimin e postës në Shqipëri ka përdorur nënkontraktorë. Mënyra se si do të votonin emigrantët është përcaktuar me një vendim politik nëpërmjet postës. Mënyra se si mund të votojnë ka plot, por edhe se si mund të përkthehet në mandate. Për këto zgjedhje, zgjodhëm që vota e emigrantëve të numërohet në qarkun ku ka jetuar dhe vota të vijë nëpërmjet një shërbimi postar. Shtetit shqiptar i ka kushtuar 10 mln euro. “, u shpreh ai.
Po a mund të ketë përsëritje të zgjedhjeve marrë parasysh kërkesat e PD për tre qarqe deri më tani, ku konteston rezultatin në Kukës, Berat dhe Korçë. Ai thotë se mundësia për t’u përsëritur zgjedhjet është e pakët, por mund të lejohet hapja e kutive dhe rinumërimi i votave.
“Po ka pasur raste dhe përsëritje. Kështu siç e kemi ne sot, ndoshta nuk përsëriten zgjedhjet por mund të hapen kutitë. Do të kërkojë kohë për të pasur rezultatin final. Vendimi i kryetarit të KQZ nuk është përfundimtar, çdo vendim i tij mund të ankohet në KAS dhe më pas në Kolegjin Zgjedhor. Më pas do të kemi rezultat përfundimar. Mund të shtyjë betimin e deputetëve. Besoj se ka kohë që deri në shtator të kemi vendim. Mënyra sesi është e kompozuar KAS, që është me baraspeshë politike, sikur thjesht dy anëtarë të KAS të kërkojë rinumërim, qoftë edhe pa prova, KQZ ka detyrim që të rinumërojë votat. Pra nëse dy anëtarë të PD kërkojnë rinumërim, do të ketë rinumërim. Përsëritja e zgjedhjeve në një rajon të caktuar kalon nëpër faza të tjera.”, shtoi Kume.
Kur mund të mbahen zgjedhjet në ato bashki, ku kryetarët e të cilëve dhanë dorëheqjen për të kandiduar si deputetë më 11 maj. Kume thotë se:
"Presupozohet që brenda korrikut do të kemi shpallje të zgjedhjebev në bashkitë e tjera, por që të shpallen një palë zgjedhje duhet vendimi i presidentit. Kemi informacion që në këshillin bashkliak të Tiranës është bërë kërkesa për zgjedhje të reja duke argumentuar faktin e pamundësisë së kryetarit të zgjedhur për të ushturar detyrën. Mendoj se në korrik do të kemi proces zgjedhor në bashkitë që janë pa kryetar bashkie. Ose në shtator do të kemi zgjedhje në këto bashki”.
Komente
