TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka shtyrë për në datën 21 shkurt vendimin për ish-gjyqtaren Enkelejda Hoxha, pasi kjo e fundit nuk ishte dakord me KLGJ, që e shkarkoi pas arrestimit të saj nga SPAK gjatë superoperacionit në Gjykatën e Krujës. Shkak për shtyrjen e seancën është bërë kërkesa e vetë ish- gjyqtares për t'u njohur me dokumentet që KLGj i ka vënë në dispozicion KPA-së, lidhur me argumentet që ka dhënë për shkarkimin e saj.
Kjo kërkesë e gjyqtares u pranua nga trupa gjykuese, por me një kusht. Asaj nuk do i vihen në dispozicion të gjitha dokumentet, por në përfundim të seancës do të shqyrtojë në ambientet e KPA-së të gjitha shkresat dhe do mund të marrë një kopje vetëm të atyre akteve që ajo gjykon se i nevojiten për të bërë mbrojtjen e saj.
Diskutimet
Hoxha: Desha të sqaroj lidhur me shkresën që ju keni përcjellë drejtorisë së burgjeve, për të më shoqëruar në ambientet e KPA në 13 janar, 15:00 për t'u njohur me aktet e KLGJ. Po atë ditë kam pasur 2 gjykime të tjera në GJKKO, që nuk jam paraqitur se kam qenë sëmurë dhe kam autorizuar avokatin. Nga stafi i institucionit, nga gardianët, më është njoftuar në 13:00, efektivisht edhe e pamundur isha për t'u paraqitur, por duke parë shkresën dhe dokumentacion voluminoze, nga 11 shkurt 2021 jam e paraburgosur nuk kam mundësi që të njihem apo të punoj për këto akte, do doja që të më viheshin në dispozion të gjitha aktet.
Gjyqtarja: Të njiheni në ambientet e Kolegjit, jo duke vënë në dispozicion një kopje, ekziston mundësia?
Hoxha: Edhe mund t'i shoh, po do të doja të kisha një kopje të tyre, kundrejt shpenzimeve që mund t'i mbulojnë familjarët e mi
Avokati: E drejtë e saj, nuk mund të shkel, e respektoj
Gjyqtarja: KLGJ dhe ILD, sa i përket kërkesës së Hoxhës për të marrë dokumentet....
Përfaqësuesi i KLGJ: Të njihet është e drejta e saj,
Përfaqësuesi i ILD: I lëmë në vlerësim të Kolegjit
Gjyqtarja: Të kategorizojmë një pjesë të tyre, parja fizikisht e tyre do ishte më e domosdoshme.
Hoxha: Mund ta bëj këtë, po patjetër, mund të qëndroj dhe të kategorizojë ato akte që më nevojiten
Gjyqtarja: KPA pranon kërkesën e ankueses për të vënë një dispozicion një kopje e akteve në fashikun e përcjellë nga KLGJ dhe të administruar në KPA, në prani të sekretarisë gjyqësore dhe do të dokumentohet nëpërmjet një procesverbale, për t'iu garantuar e drejta e mbrojtjes.
Enkelejda Hoxha u shkarkua nga detyra e gjyqtares më 17 mars dhe u la në burg nga Gjykata e Apelit. Ajo u arrestua nga SPAK pas një superoperacioni të bërë në Gjykatën e Krujës, në seancë gjyqësore teksa po lironte një tjetër të dënuar. Mes të dënuarve janë edhe sekretarja e Gjykatës, Emanuela Mallkuçi ekspert shëndetësor dhe avokati Aldo Tabaku të cilët në bazë të një skeme të mirëfilltë kriminale bënin lirimin e të dënuarve.