Shkelje të rënda procedurale, mosmenaxhim buxheti, shmangie e konkurrencës, mungesa e transparencës dhe favorizime klienteliste, kufizim në të drejtën e krijuesve dhe prodhuesve shqiptarë, mungesa e hapave për “taks incentive”, kaq të domosdoshëm për tërheqjen e bashkëprodhimeve të huaja me kinematografinë shqiptare!
Këto janë vetëm disa shqetësime që komuniteti i kineastëve shqiptarë ngre në lidhje me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë dhe për të cilat, së fundmi ka kërkuar zyrtarisht përmes një letër-kërkese, shkresa që “Report TV” ka siguruar, ndërhyrjen e ministrit të kulturës.
Vetë ministri Blendi Gonxhja, një vit më parë, në emërimin e drejtorit të ri, Eol Çashku garantonte që “jemi besimplotë për aftësitë dhe përvojën profesionale të drejtuesit të ri të kinematografisë shqiptare, i cili ka mbështetjen e plotë të MEKI dhe të qeverisë shqiptare për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori tepër të rëndësishëm për industrinë e ekonominë kreative, përveçse për kulturën tonë kombëtare”.
Tashmë që drejtori ka ezauruar një të katërtën e mandatit të tij katërvjeçar, siç pohojnë vetë kineastët, Qendra Kinematografike është zhytur në një krizë shumë të thellë.
Ndaj, pas kontaktit nga ana e kineastëve, Ministria, me të drejtë i kërkon menjëherë QKK-së adresim dhe zgjidhje të situatës së krijuar.
Si rezultat, siç thonë kineastët, drejtori Eol Çashku postoi me nxitim një kalendar fiktiv me thirrje për të financuar projektet kinematografike, por që s’kanë ende mbështetje në buxhet, por mbi të gjitha, duke qenë vit elektoral, që mbeten të pazbatueshme, pasi i ndalon Komisioni Zgjedhor, si çdo projekt tjetër i financuar me para të Shtetit.
Polemika ndaj QKK-së filloi në fakt që në muajt e parë të emërimit të drejtorit të ri Çashku, i cili, në kundërshtim me sugjerimet e shoqatave të kineastëve miratoi një rregullore të re të brendshme, e cila sipas akuzave ka shkelje ligjore, si dhe shkon në kundërshtim me ligjin e kinematografisë, por edhe me zhvillimet e përgjithshme drejt integrimit evropian.
“Megjithëse Ministria e Financave ka konfirmuar zyrtarisht më shumë se një herë për pamundësinë e implementimit të nenit 5 të ligjit “Për kinematografinë”, me një këmbëngulje të pa logjikshme, u bllokua aktiviteti kryesor i QKK jashtë të gjitha limiteve kohore. Për pasojë, vendimmarrja për mbështetjen financiare të projekteve të reja që duhet të bëhen gjatë një viti financiar u bënë për 2 javë, duke shkelur çdo afat të mundshëm të përcaktuar në Rregulloren e Përgjithshme të Mbështetjes Financiare dhe Lejeve nr. 168 Prot., datë 27.05.2024, të miratuar nga vetë z. Çashku. Shkelja e afateve është pasojë minimaliste, po të marrësh në konsideratë faktin që i ndodhur nën presionin e djegies së buxhetit, nëpërmjet mbledhjeve urgjente, u miratuan projekte dytësore, të cilët u financuan me buxhet deri 150 % nga projektet paraardhëse të të njëjtës gjini. Ndërsa që projektet e metrazhit të gjatë me autorë regjisorët shqiptarë të karrierës, projektet e të cilëve mbajnë peshën kryesore të bashkëprodhimeve, distribucionit dhe promocionit të kulturës shiptare në botë, të cilat u shpallën fitues në muajin tetor 2024, u përballën me ulje të konsiderueshme të buxhetit, ndërkohë që dihet mirë sa është niveli i financimeve të filmave të gjatë në rajon dhe Evropë, por edhe sa janë rritur kostot e prodhimit të këtyre projekteve.", - shkruhet mes të tjerash në letrën e kineastëve drejtuar QKK-së.
Pas miratimit të rregullores diskriminuese, siç pohojnë kineastët, veprimet e drejtuesit Çashku u pasuan me një fushatë pushimesh të vazhdueshme nga puna të stafit të brendshëm dhe në pak muaj, në QKK është ndërruar tri herë stafi profesional, gjë për të cilën Ministria është vënë në dijeni.
“Burimet njerëzore përfaqësojnë vlerën më të çmuar të çdo institucioni, veçanërisht në një institucion si Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) ku kërkohet një ekspertizë e thelluar. Pavarësisht se vetë Ju si Ministër keni theksuar në mënyrë të përsëritur nevojën për rritjen e kapaciteteve të administratës, situata aktuale në QKK paraqet shqetësime serioze për cilësinë e shërbimit që do të ofrohet. Aktualisht, QKK ndodhet në një situatë disfunksionale që pritet të vazhdojë për disa muaj. Më konkretisht, sipas njoftimit zyrtar, më 20 janar 2025 pritet të përzgjidhen për të tretën herë brenda vetëm tre muajve (Tetor 2024 – Janar 2025) tre pozicione kyçe: Drejtori i Drejtorisë së Projekteve, Përgjegjësi i Sektorit të Financës, dhe Juristi. Ky qarkullim i shpeshtë i stafit është një tregues i qartë i problemeve themelore në menaxhimin e burimeve njerëzore të institucionit. Kriteret e vendosura për këto pozicione ngrenë shqetësime të mëtejshme. Ato jo vetëm që janë jashtë profilit real të punës, por afatet tejet të shkurtra për paraqitjen e kandidaturave (5 ditë kalendarike) krijojnë një dyshim të arsyeshëm se edhe kandidatët e rinj mund të përfundojnë në të njëjtën situatë - duke mos e kaluar periudhën e provës. Kjo do të thellojë më tej ciklin e paqëndrueshmërisë në institucion…”, - thuhet mes të tjerash në letër.
Komuniteti i kineastëve thekson se tashmë, pas një viti sorrollatjeje të dështuar, QKK-ja gjendet në pikën më të rëndë që ka qenë prej vitesh: në konflikt të hapur me masën dërrmuese të kineastëve shqiptarë, të përfaqësuar nga të gjitha shoqatat kinematografike.
Kineastët ngrenë edhe të tjera shqetësime krahas rregullores. Ata i cilësojnë skandaloze veprimet e Çashkut ndërsa nënvizojnë se dhënia pa konkurrencë e me nxitim në fund të vitit e fondeve për të gjithë projektet konkurruese është diçka klienteliste e shpesh me konflikte interesi, gjë që në disa raste është pasqyruar edhe në shtyp.
"Idea tjetër e çuditshme ishte këmbëngulja nga ana e Kryetarit që buxhetin e QKK për projektet fituese ta kalojë në një bankë të nivelit të dytë. Nuk dimë një rast të ngjashëm, që një institucion buxhetor të mbartë buxhetin dhe ta konservojë atë në një bankë të nivelit të dytë, duke anashkaluar çdo institucion kontrollues finaciar dhe duke lënë hapësira për abuzime. Pas miratimit të Rregullores së Përgjithshme të Mbështetjes Financiare dhe Lejeve nr. 168 Prot., datë 27.05.2024, shoqatat e kineastëve ju përgjigjën menjëherë kërkesës së z. Çashku dhe në datën 06.06.2024 u kryen procedurat dhe u krijuan Këshillat Miratues të Projekteve. Mosveprimi i Kryetarit për hapjen e thirrjeve për projekte për 6 muaj, megjithë kërkesat tona, tregon mungesën e një plani të qartë strategjik dhe financiar, e cila ka çuar në mosshfrytëzimin efektiv të një pjese të konsiderueshme të buxhetit të vitit 2024, për të cilin komuniteti i kineastëve ende nuk ka asnjë informacion zyrtar për situatën e buxhetit të ezauruar.”, - vijojnë kineastët.
Kjo rregullore është shqetësuese edhe përsa i përket regjisorëve dhe producentëve të rinj, pasi siç theksojnë kineastët përmban norma përjashtuese, duke kufizuar kështu konkurrencën e lirë, sidomos për produksionet e reja dhe regjisorët e rinj.
“Duke kufizuar të drejtën e konkurimit vetëm me degën Regji Filmi, diskriminohet dhe përjashtohet nga gara një brez i tërë regjisorësh. Barriera artificiale janë ngritur edhe për regjistrimin e producentëve të rinj. Si një sipërmarrje e lirë, çdokush ka të drejtë të hapë biznes në fushën që preferon, përfshi edhe produksion filmi apo audiovizual. Kriteret e vendosura në Rregullore bien në kundërshtim me ligjin “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, duke frenuar iniciativën e lirë të sipërmarrjes.”, - nënvizojnë ata.
Sipas kësaj rregulloreje, filmat- vepër e parë nuk mbështeten për bashkëprodhim, ndërkohë që penalizohen apo margjinalizohen krejtësisht autorët e rinj shqiptarë, të cilët gjithashtu nuk mund të kërkojnë mbështetje nga vendet partnere, pasi në kategorinë e “minortiy co-production” përjashtohen regjisorët e vendeve partnere me filma të parë dhe si rrjedhim penalizohen dhe mungon mbështetja për regjisorët shqiptarë, që do të kenë filmat e parë. Ndërkohë që QKK-ja nuk i mbështet plotësisht nga ana financiare, duke i futur kështu në limbo absurde.
Një tjetër pikë, e cila vlen të përmendet është edhe mungesa e kuadrit ligjor, veçanërisht në fushën e stimujve tatimorë (tax incentives), të parashikura nga ligji për audiovizualin, por që nuk zbatohen, gjë që sipas kineastëve po dëmton zhvillimin e sektorit të filmit në Shqipëri, duke penguar ardhjen në vend të producentëve të huaj.
“Situata përkeqësohet nga komunikimi jo i saktë rreth politikave fiskale, ku deklaratat se "Shqipëria është tax free për filmin" nuk pasqyrojnë realitetin dhe krijojnë konfuzion në komunitetin ndërkombëtar. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga komuniteti i kineastëve për stimuj tatimorë, çështja nuk ka marrë vëmendjen e duhur institucionale. Me implementimin e duhur të këtyre mekanizmave, Shqipëria mund të tërheqë investime vjetore prej 20-30 milionë eurosh, duke sjellë përfitime në shumë sektorë si industria audiovizuale, turizmi, transporti dhe hoteleria.",- vërehet në letrën drejtuar ministrit Gonxhja.
Situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm të sektorit. Ndërkohë, drejtuesi i QKK-së, Eol Çashku ka reaguar me një përgjigje drejtuar Ministrisë së Kulturës lidhur me letrën e grupit të kineastëve dhe problemet e mbartura dhe të thelluara të Qendrës së Kinematografisë. Sipas kësaj përgjigjeje “QKK-ja i ka punët shkëlqyeshëm dhe është në kontakt të vazhdueshëm me simotrat e saj evropiane”.
Biles, sa më shumë ta sulmojnë",- përfundon drejtori i QKK-së, "aq më shumë institucioni që drejtoj është në drejtimin e duhur".
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)