Annamaria Shijaku është muza dhe bashkëshortja e piktorit dhe skulptorit tonë të mirënjohur Sali Shijaku. Ishte, se tashmë ajo në moshën 73 vjeçare u largua përherë, nuk jeton më. Kur njerëzit ikin, largohen, papritur ne shqiptarët fokusohemi tek ata. Duket sikur në të përditshmen tonë kemi aq shumë gjëra të rëndësishme sa nuk dallojmë, nuk vlerësojmë dhe lartësojmë njerëzit e bukur që na rrethojnë. Historia e Annamarias u rrëfye nga djali i saj Orges Shijaku në një intervistë të gjatë të Anila Dedajt në Report TV, intervistë që gjendet kollaj tashmë në internet. Disa ditë më parë, një projekt interesant i Destil Creative Hub, që ka hapur disa shtëpi të vjetra dhe të traditës tiranase, hodhi disa rreze drite dhe mbi Annamarinë, vajzën e arkitektit Italian Gaetano Schifa dhe të shqiptares përmetare Verore, që u dashurua, jetoi një jetë të tërë krah piktorit tonë të famshëm me dhimbjen e madhe dhe brengën që nuk mundi ta takojë qoftë një herë të vetme babain e saj, që regjimi komunist e largoi drejt Italisë për ta ndarë nga familja shqiptare përgjithmonë.
Shumë e njohin shtëpinë karakteristike e shekullore të familjes Shijaku. E vendosur në një rrugicë afër rrugës Siri Kodra në Tiranë, për shqiptarë e të huaj është kthyer në një oaz historie e kulinarie tradicionale për të parë kohët e shkuara të asaj Tirane që sa vjen dhe tkurret. Shumë shprehen të habitur se si ka rezistuar kjo shtëpi që tashmë bashkë me atë të Toptanëve, të Begejave e ndonjë tjetër, numërohen me gishtat e dy duarve si dëshmitare të një kohe që nuk kthehet më. E pra, nusërimi dhe rezistenca e Vilës Shijaku e paska sekretin e saj dhe ky sekret është Annamaria, një grua e rrallë, e cila ndryshe nga shumë prej nesh që vrapuam të shembim atë që të parët na lanë, si të ishte nusja e vogël e Kalasë së Rozafatit, bëri çmos që Vila të mirëmbahej, të mos shitej e të mos përfundonte si shumë të ngjashme të saj.
Ndërsa Orgesi, i biri e tregon këtë, me sytë të mbushur me lot e mall vlerësimi për nënën e tij, kujton edhe kohën kur i thanë që ta linte e të largohej përherë në Itali. Por Annamaria italo-shqiptare, ishte bërë me kalimin e viteve një ndër shqiptaret më të mira e ruajstëse e vlerave që na nderojnë. Pikërishit kjo veçanti e kësaj gruaje, portretin e të cilës e gjejmë të përjetësuar në më shumë se 90 përqind të portreteve në punimet e Sali Shijakut na bind ta zgjedhim si një vlerë të jashtëzakonshme për frymëzim.
Atëherë, këtë 8 Mars, le të inkurajojë Annamaria Shijaku edhe qindra shqiptare të tjera, të cilat të shohin dhe të ruajnë si ajo të bukurën në qytetin ku jetojnë e punojnë, në vendin ku jetojmë e punojmë, për të vendosur në piedestal traditën, të bukurën, të vlefshmen, rrënjët, historinë. Shumë prej nesh qajnë për një Tiranë që nuk është më, për ato ndërtesa të së shkuarës që mbërthenin jetën e kujtimet e banorëve të kryeqytetit; ndërtesat që u zhdukën njëra pas tjetrës pasi, pas tyre, nuk kishte një Annamari.