Regjisori amerikan, Sean Baker ka fituar mbrëmjen e djeshme (25maj) çmimin kryesor, Palmën e Artë, në Festivalin e 77-të të Filmit në Kanë me filmin “Anora”.
Ishte regjisorja amerikane Greta Gerwig, ajo që i dha çmimin prestigjioz regjisorit për historinë e filmit i cili flet për një balerinë striptizi në Brooklyn të quajtur Ani, që martohet me djalin e një oligarku rus.
Filmi është një përzierje midis komedisë dhe dramës dhe i ka impresionuar teleshikuesit me të papriturat e tij.
"Unë nuk e di vërtet se çfarë po ndodh tani. Të shikosh një film me të tjerët në një kinema është një nga përvojat e mëdha të përbashkëta. Ne ndajmë të qeshurën, pikëllimin, zemërimin, frikën dhe shpresojmë të kemi një katarsis me miqtë tanë dhe të panjohurit. Kështu që unë them se e ardhmja e kinemasë është aty ku filloi, në një kinema”, tha Baker gjatë marrjes së çmimit.
Baker u bë i njohur me komedinë e tij të vitit 2015 “Tangerine”, e cila u xhirua e gjitha me një iPhone.
Çmimi i dytë më i rëndësishëm i festivalit, shkoi për “All We Imagine as Light” nga regjisori indian Payal Kapadia.
Përsa i përket çmimit për aktoren më të mirë ai u dha aktoreve Karla Sofía Gascón, Zoe Saldana, Selena Gomez dhe Adriana Paz për rolet e tyre në filmin “Emilia Pérez”.