Kryetari i bashkisë Erion Veliaj

Kronikë
Tirana

Ansamble nga e gjithë bota performojnë në Amfiteatrin e Tiranës, Veliaj: Gjërat që na bashkojnë janë më të forta se ato që na ndajnë

25 Korrik 2021, 18:48| Përditesimi: 25 Korrik 2021, 18:53

  • Share

Festivali më i madh i muzikës folklorike, “International Folk Festival Tirana”, i cili për 3 netë me radhë e ktheu Amfiteatrin e Tiranës në një sofër mikpritëse të artistëve nga e gjithë bota, u finalizua mbrëmjen e djeshme. Me një larmi kostumesh e vallesh, Festivali solli 10 grupe tradicionale folklorike nga vende të ndryshme të botës, si dhe grupet më të mira të Shqipërisë, të cilat performuan repertorin dhe traditën më të mirë të vendeve që përfaqësojnë.

Në mbrëmjen finale, ku u ndanë edhe çmimet për ansamblet më të mira pjesëmarrëse të këtij Festivali, i pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili nderoi me çmimin e parë Ansamblin Folklorik të Sofies. Duke shprehur mirënjohjen e tij për gjithë grupet pjesëmarrëse, kryebashkiaku tha se festivale të tilla janë dëshmia e qartë se vlerat artistike dhe kulturore janë ato që bashkojnë më shumë vendet dhe popujt.

“Jam shumë mirënjohës që jeni këtu, por jam dhe shumë i lumtur që ky event po mbahet në Tiranë. Shpresoj që disa prej qyteteve tuaja të fillojnë të hapen dhe sapo të hapeni ne do kemi një mundësi për të ardhur dhe për të vizituar qytetet dhe traditat tuaja. Mendoj, të gjithë jemi me shumë fat që pritëm Dua Lipën këtë fundjavë në Tiranë. Ajo tha diçka me kuptim që, edhe nëse është një ‘sombrero’, një plis, ose një qeleshe, në fund ne të gjithë kemi tradita dhe kultura dhe sa më shumë shikojmë njëri-tjetrin ne do vërejmë që jemi shumë të ngjashëm. Ajo që dalluam këto tre ditë ishte pikërisht fakti se sa gjëra kemi të përbashkëta. Në fakt ka më shumë gjëra që na bashkojnë, sesa gjëra që na ndajnë. Në qoftë se edhe kombet tona do silleshin si valltarët tanë, për të kuptuar që gjërat që na bashkojnë janë më të forta se ato përçarjet e vogla, atëherë sigurisht mesazhi për të pasur më shumë paqe dhe bashkëpunim do ishte më i fortë se kurrë,” u shpreh Veliaj.

Çmimi i dytë i Festivalit shkoi për Kosovën, me ansamblin e këngëve dhe valleve “Obiliq”, ndërsa çmimi i tretë për grupin nga Maqedonia e Veriut “Etnos”. Me çmime gjithashtu u nderuan Polonia, për kostumin më të mirë, Mali i Zi, për koreografinë më të mirë, Bosnje Hercegovina, për muzikën më të mirë ndërsa Çmimi special FIDAF Albania, shkoi për Ansamblin Folklorik Tirana.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?