Politikë

‘Antikorrupsioni’ në Berat, shoqëria civile dhe pushteti vendor diskutojnë gjetjet e Komisionit të Posaçëm Parlamentar

4 Shkurt, 23:08| Përditesimi: 4 Shkurt, 23:09

  • Share

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, zhvilloi forumin e shtatë të dialogut me përfaqësues të shoqërisë civile dhe pushtetit vendor në Berat.

Rreth 50 pjesëmarrës, aktorë të shoqërisë civile, të rinj, qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve të pushtetit vendor, u njohën me analizën e realizuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë (GENL), metodologjinë e përdorur prej tyre për skanimin e situatës në drejtim të mirëqeverisjes, antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit, masat dhe mekanizmat e sugjeruara prej ekspertëve për t’u bërë pjesë e Planit kombëtar të veprimit, i cili do të finalizohet pas dëgjesave që po zhvillohen në disa qytete të vendit.

Fokusi i këtyre takimeve është jo vetëm informimi mbi punën e komisionit të posaçëm, por dhe marrja e mendimeve, sugjerimeve dhe komenteve nga aktorë dhe faktorë të ndryshëm të shoqërisë, të cilat do të shërbejnë për përmirësimin e Planit kombëtar të veprimit.

Anëtarja e Komisionit të Posaçëm, deputetja znj.Etilda Gjonaj, bëri një përmbledhje të punës së deritanishme të Komisionit të Posaçëm, analizës së gjerë profesionale të bërë nga GENL, procesit të konsultimit me ekspertë ndërkombëtarë dhe shqiptarë që jetojnë në diasporë, duke theksuar nevojën për angazhimin e të gjithë aktorëve të shoqërisë dhe sidomos të rinjve në parandalimin dhe ndryshimin e qasjes ndaj fenomenit të korrupsionit.

Takimi u moderua nga Prof. Asoc. Dr Enkeleda Olldashi, pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, e cila bëri një përmbledhje të komponentëve të analizës për fushën e Antikorrupsionit, si dhe gjetjeve të ekspertëve lidhur me komponentin që lidhet me parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit politik, duke u përqendruar tek: integriteti i zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve; financimi i fushatave elektorale; korrupsioni transnacional; kontrolli paraprak i korrupsionit në projektaktet ligjore; rregullimi i lobimit dhe ndikimi në vendimmarrje.

LL.M. Monika Canco, pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, bëri një prezantim të sfidave, problematikave, si dhe rekomandimet kryesore të dhëna nga ekspertët lidhur me parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit në administratën qëndrore dhe vendore, me fokus në sektorët me risk të lartë, dhe sektori privat, ku përfshihen dhe ndërmarrjet publike.

Z.Ened Topi, përfaqësues nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë në Shqipëri  gjatë prezantimit u ndal në gjetjet dhe sugjerimet e bëra nga ekspertët pas analizimit të funksionimit dhe efektivitetit të institucioneve përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit; uljen e rasteve të korrupsionit në monitorimin e menaxhimit të financave publike në qeverisjen qëndrore, vendore dhe institucionet e pavarura; si dhe parandalimin e financimeve të paligjshme dhe pastrimit të parave.

Më pas, përmes një bashkëbisedimi me të pranishmit tre ekspertët dhe znj. Gjonaj iu përgjigjën pyetjeve dhe komenteve të bëra pjesëmarrësit lidhur me rolin e sinjalizuesve dhe nevojën e ndërgjegjësimit të shoqërisë për të parandaluar fenomenin e korrupsionit përmes denoncimit të çdo rasti korrupsioni apo favori të çdo forme; mekanizmat për forcimin e institucioneve të pavarura për të luftuar korrupsionin; nevojën për aplikimin e deklaratës së konfliktit të interesit nga punonjësit e administratës publike; mbështetja e grupeve të margjinalizuara për ofrimin e shërbimeve digjitale; gjetjen e mekanizmave për rritjen e ndikimit të shoqërisë civile në vendimmarrje; rritjen e besimit të qytetarëve nëpërmjet rritjes së llogaridhënies dhe transparencës së institucioneve; nevojën e përfshirjes në kurrikula shkollore të elementeve të parandalimit të korrupsionit, etj.

Në përfundim të takimit ekspertët i ftuan të pranishmit të bëhen pjesë e diskutimeve publike nëpërmjet komenteve dhe sugjerimeve të tyre në faqen zyrtare të internetit të komisionit të posaçëm www.masl.al.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?