Fatmir Xhafaj në konferencën e sotme

Politikë

'Antikorrupsioni', Xhafaj dorëzon në Kuvend dy dokumentet e Komisionit: Plan Kombëtar Veprimi, 69 ekspertë! Nuk ndërhymë te drejtësia! Pjesëmarrja e opozitës, detyrim e jo ftesë

24 Korrik, 10:47| Përditesimi: 24 Korrik, 11:45

  • Share

Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, Fatmir Xhafaj, ka dalë sot në një konferencë për mediat në përmbyllje të mandatit të veprimtarisë së këtij komisioni, si dhe për të bërë një bilanc të punës së realizuar deri më tani.

Në nisje të takimit, Xhafaj kujtoi se e ka filluar drejtimin e këtij komisioni me një bashkëbisedim me gazetarët për të bërë publike qëllimin e ngritjes së komisionit dhe në fund të mandatit ndien detyrimin për ta përmbyllur me po me një bashkëbisedim me gazetarët, në funksion të transparencës me ta dhe me qytetarët. Xhafaj theksoi se ky Komision i Posaçëm e ka përmbushur qëllimin e ngritjes së tij ndonëse pati një mandat të kufizuar me vetëm 14 muaj dhe me periudhën elektorale në mes.

Para të pranishmëve ai theksoi se janë hartuar dy dokumente të rëndësishme kombëtare gjatë kohës së punës së komisionit. I pari është dokumenti analitik me 700 faqe dhe i dyti Plani Kombëtar i Veprimit, që do i shërbejnë dhe qëllimit për negociatat e Shqipërisë me BE dhe integrimin e vendit, ku përfshihet përmirësimi i mëtejshëm i punës në luftën antikorrupsion.

“Kanë përfshirë 69 ekspertë ndërkombëtarë. 12 nga institucionet e pavarura, 12 nga komuniteti i biznesit, 23 nga bota akademike, pjesë edhe ekspertë nga diaspora. Dokument analitik me 700 faqe, i pari që mban ekspertizë shqiptare. Të gjithë faktorët e shoqërisë u përfshinë në proces. U përcaktuan ekspertë nga agjentitë e pavarura. Ky është dokument unik në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë në kaq dekada”, tha Xhafaj mes të tjerash në fjalën e tij prezantuese.

Më tej ai shpjegoi edhe punën e kryer, tryezat dhe diskutimet, qëllimet dhe pritshmëritë.

“U bënë 11 tryeza me mbi 1 mijë pjesëmarrës. Pati konsultim të gjerë publik në 14 muaj, ku janë përmbyllur dy fazat elementare të tij dhe i janë dorëzuar Kuvendit dy dokumente, analitiku dhe plani i kombëtar i veprimit, me sfida kyçe dhe masa konkrete, horizontale dhe sektoriale, në kuadër të procesit të negociatave të Shqipërisë në BE, me qëllim qeverisjen e mirë, hapat konkret për integrimin. 238 masa konkrete, ku 160 janë masa institucionale. Këto janë dy dokumente të rëndësishëm kombëtar”, theksoi Xhafaj.

Xhafaj iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve, ku garantoi se Komisioni nuk ka bërë gjatë 14 muajve asnjë ndërhyrje për reformën në drejtësi dhe në asnjë faqe të dokumentit analitik nuk gjendet një masë apo ndërhyrje e tillë e propozuar.

"Qëllimi ynë nuk ishte ndërhyrja te qeveria apo institucionet e drejtësisë, por hartimin e dokumentit analitik dhe planin e veprimit kombëtar", shpjegoi Xhafaj.

Xhafaj u përgjigj edhe për një nga çështjet më të ndjeshme, mospjesëmarrja e opozitës në Komision, për të cilën u shpreh se "pjesëmarrja e saj ishte detyrim dhe jo ftesë, ashtu sikurse edhe për mazhorancën".

“Është detyrim që edhe mazhoranca dhe opozita të përfaqësohen në komisionet dhe nën komisionet e Kuvendit. Kështu që nuk shikoj asnjë arsye pse të mos jetë opozita e përfshirë në këtë proces. Pastaj ku merr pjesë opozita apo ku nuk merr pjesë është vendimmarrje e saj. Unë besoj se është në interes të opozitës që të përfshihet në këtë gjë. Unë nuk bej ftesë, sepse nuk e ngre unë. Komisionin e ngre Kuvendi dhe Kuvendi ka detyrimin që të përcaktojë vendet e opozitës dhe të mazhorancës. Nuk ka nevojë për të bërë ftesë. Është detyrim, pastaj ulen apo nuk ulen ata kjo është çështje tjetër”, u shpreh Xhafaj.

Fjala e plotë e Fatmir Xhafajt, kryetari i Komisionit:

"KOMISIONI E PËRMBUSHI QËLLIMIN

“Komisioni me dokumentat e hartuara dhe të miratuara adresoi një sërë poblematikash dhe vendosi piketa të qarta aq të domosdoshme për përballjen me 3 sfida kyç të zhvillimit, Mirëqëverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e ligjit ,thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Ashtu si dhe nga ana tjetër përmes këtyre dokumentave qartësoi përgjegjësitë për një rol më aktiv të Kuvendit në procesin e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE dhe reformimin e vetë Kuvendit, nisur kjo edhe nga konteksti i zhvillimeve të integrimit europian të Shqipërisë dhe reflektimet ligjore dhe institucionale me sfidat në kuadër të këtij procesi”, tha Xhafaj duke theksuar gjithashtu se metodologjia e veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm, është një ndër më të plotat dhe më të qartat për të garantuar transparencën, gjithëpërfshirjen dhe profesionalizmin.

Kuvendi tha ai, këtë përvojë të krijuar, këtë model tashmë të realizuar, mund t’a aplikojë në të gjitha proceset e tjera të ngjashme, në përmbushje edhe të rekomandimeve të vazhdueshme për këtë aspekt në raportet e Progresit të KE-së.

“Gjithë ky proces i ndërtuar është mbështetur dhe ka garantuar 4 parime themelore që janë: Gjithëpërfshirja, Transparenca, Profesionalizmi dhe Standardet më të mira ndërkombëtare. Synimi kryesor i komisionit ka qënë dhe besoj se ja kemi arritur përmes metodologjisë së zbatuar që i gjithë ky proces në vetvehte dhe veçanërisht dokumentat që janë hartuar së bashku me propozimet përkatëse të garantojnë standarte europiane si dhe reflektimin në praktikat më të mira të vendeve të BE-së si dhe të jenë në përputhje të plotë me rekomandimet e BE dhe kriteret për pozicionet negociuese”, tha Xhafaj.

IMPAKTI, VLERAT DHE RISITË E KËTIJ KOMISIONI

Duke folur për impaktin e punës së bërë në këtë komision nga rreth 119 ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, ai përmendi disa nga arritjet, të cilat i çmon si vlera dhe risi të këtij procesi kompleks.

“1.Për herë të dytë në këto 10 vite, Kuvendi i Shqipërisë u shndërrua në hapësirën kushtetuese e institucionale për realizimin e një tjetër reforme shtetndërtuese që synon konsolidimin e shtetit të së drejtës por që i shërben edhe procesit të anëtarësimit për Shqipërinë 2030 në BE. Vështirë të gjeni një shembull të dytë, në rajon dhe më gjerë, të ndërmarrjes me inisiativë nga vende kandidate për BE, të projekteve të tilla kaq komplekse, përfshirëse dhe me ambicien e fortë për ndryshim.

2.Përfshirje e gjerë e të gjithë faktorëve kyç të shoqërisë. Kjo e bën këtë një projekt kompleks për nga koordinimi dhe realizimi, por që përbën njëherësh edhe një model se si duhet të ndërtohen reforma të tilla duke shkuar nga analiza e situatës – te identifikimi i gjetjeve dhe adresimin e masave për zgjidhje – te procesi ligjvënës – dhe pastaj te zbatimi e monitorimi.

3.Ky proces ishte një kontribut tjetër me vlerë edhe në një aspekt tjetër me rëndësi lidhur me integrimin dhe imazhin e vendit. Një dëshmi e rritjes së vendit e institucioneve të tij edhe në një këndvështrim tjetër duke provuar se tashmë ne kemi kapacitetet për të ndërmarrë hapa të tilla, që vende të ngjashme me ne nuk kanë pasur kurajon t’i ndërmarrin.

4.Ne hartuam dhe miratuam një analizë, një Dokument Analitik prej rreth 700 faqesh, i pari dokument i këtij lloji që mban autorësinë e ekspertizës shqiptare. Analiza bën një skanim të situatës aktuale në 3 fushat, mbështetur në raportet përkatëse zyrtare të viteve të fundit, vendase dhe ndërkombëtare dhe kryesisht në gjetjet, vleresimet, problematikat dhe rekomandimet e Raporteve të BE dhe dokumentave ku shteti shqiptar ka shprehur angazhimet e tij në kuadër të procesit të integrimit.

5.Plani Kombëtar i Veprimit përbën një tjetër vlerë dhe risi të këtij procesi. Ai është një dokument unik i këtij lloji në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë gjatë këtyre dekadave të demokracisë parlamentare në vendin tonë.

6.Ky proces nuk mund të konsiderohej i plotë, pa realizimin e një procesi intensiv të konsultimit publik për të gjitha fazat e hartimit të dy dokumentave”, tha Xhafaj teksa përmendi 11 tryeza debati dhe diskutimi, 8 forume dialogu qytetar; 2 konferenca të nivelit të lartë për prezantimin e Analizës dhe Planit Kombëtar të Veprimit etj.

DY DOKUMENTE BAZË NË KUVEND

Përgjatë këtyre 14 muajve tha më tej Xhafaj, komisioni ka përmbyllur dy fazat e para të tij dhe i ka dorëzuar Kuvendit dy dokumente parlamentare bazë: Dokumenti Analitik dhe Plani Kombëtar i Veprimit. Ai shpjegoi përmbajtjen e këtyre dokumenteve.

“Dokumenti Analitik për të tre fushat; Mirëqeverisja, Antikorrupsioni dhe Sundimi i Ligjit, është një dokument me 709 faqe dhe trajton të gjitha aspektet në 18 kapituj. Struktura e analizës është e organizuar në mënyrë të tillë që për çdo çështje të ofrohet një pasqyrë e situatës aktuale, duke shqyrtuar masat ligjore dhe institucionale të zbatuara. Për përgatitjen e kësaj analize, Ekspertët e Nivelit të Lartë kanë skanuar dhe analizuar mbi 15.000 faqe dokumenta, analiza e raporte të ndryshme. Plani Kombëtar i Veprimit është një dokument që përcakton masa konkrete, horizontale dhe sektoriale, të cilat synojnë përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të Kuvendit, në kuadër të procesit të negociatave të antarësimit të Shqipërisë BE. Plani kombëtar i veprimit përmban 56 fusha tematike të cilat adresojnë çështjet kryesore me 238 masa konkrete, nga të cilat 78 janë nisma ligjore dhe 160 masa institucionale. Këto janë dy dokumente të rëndësishëm parlamentar, produkt i punës së komisionit. Ndërkohë që kemi hapur rrugën edhe për zbatimin e masave ligjore dhe institucionale të parashikuara në Planin Kombëtar të Veprimit. Ashtu siç bëmë jo më larg se dje në diskutimin dhe konsultimin publik të dy projektligjeve si masa institucionale të propozuara në Planin Kombëtar të veprimit të shtyllës antikorrupsion dhe siç do bëjmë me procesin që pason. Dokumenti Analitik dhe Plani Kombëtar i Veprimit të miratuar e të publikuar në faqen e komisionit, përbëjnë dokumenta parlamentare me rëndësi dhe janë pjesë e përgjegjësive dhe angazhimit të strukturave të Kuvendit në fushat respektive”, tha Xhafaj.

ÇFARË NDODH MË TEJ?

Sa i përket të ardhmes së veprimatisë së Komisionit të Posaçëm, Fatmir Xhafaj tha se bazuar edhe në diskutimet e deritanishme, mbështetur në Rezolutën e Kuvendit, por edhe në masat e propozuara në Planin Kombëtar të Veprimit, është e nevojshme që një Komision ose një nënkomision parlamentar i përhershëm ose një strukturë në nivel institucional që do gjykohet nga Parlamenti, të vijojë veprimtarinë e tij.

“Kjo për të vijuar me fazën e tretë të hartimit dhe miratimit të projektligjeve të identifikuara si masa nga Plani Kombëtar i Veprimit si pjesë e listës prioritare të ligjeve ashtu si dhe me vijimin e punës për realizimin e detyrës për kapitullin “III.3 – Konsolidimi i reformës në drejtësi”.  Dokumenti analitik e veçanërisht Plani Kombëtar i Veprimit bashkëngjitur janë dokumenta parlamentare me vlera të shumëanshme, efekti shumë pozitiv i të cilave do të përcaktohet nga shkalla e angazhimit për zbatimin e tij nga Kuvendi dhe strukturat e tij në legjislaturën e ardhshme 2025 – 2029 në funksion të ambicies sonë legjitime – Shqipëria 2030 në BE”, tha Xhafaj teksa në përfundim falënderoi kolegët deputetë pjesëmarrës në këtë komision, Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë, Sekretariatin Teknik, stafin e Kuvendit dhe të gjithë aktorët që kanë marrë pjesë aktivisht në proceset e konsultimit dhe diskutimit, vendas dhe ndërkombëtar, përfaqësues të institucioneve publike, institucioneve të pavarura, shoqërisë civile, botën akademike, komuniteti i biznesit, qytetarë, që janë angazhuar në këtë proces dhe natyrisht gazetarët e lirë të medias që kanë përcjellë mbledhjet dhe janë përpjekur të pasqyrojnë me realizëm punën që është bërë".

Ora 11:22
Xhafaj e mbyll konferencën si gazetar, pyet mediat: Pas 14 muajve, më thoni ku është ‘Superkomisioni’ që do kapte SPAK-un dhe Drejtësinë?!

 

Teksa paralajmëroi disa herë gjatë konferencës se do të thoshte diçka në fund të saj, kryetari i Komisionit Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj mori për disa minuta rolin e gazetarit përpara mediave të pranishme dhe iu drejtua si ‘koleg’ të pranishmëve me një pyetje.

Teksa u kërkoi leje për ta bërë këtë, duke vlerësuar misionin e tyre për informim, edhe pse shumë herë puna e komisionit ishte keqinterpretuar, duke pranuar disa edhe nga kritikat, ai i pyeti që pas 14 muajve pune të Komisionit, t’i tregonin se në cilën pjesë të dokumenteve të hartuara tregohej me fakt se “Superkomisioni kapi Drejtësinë dhe SPAK-un”.

“Më lejoni në fund, kam një pyetje për ju pas kësaj pune 14 mujore, se janë thënë shumë gjëra gjatë kësaj kohe për Komisionin. Këto interpretimet e superkomisionit, që do kapte drejtësinë, do kapte SPAK-un, ma bëni me dije pas 14 muajve pune të Komisionit, ku gjendet në një faqe të dokumentit dhe punës? Kur të ma gjeni ma bëni me dije, se u thanë shumë gjëra”, u shpreh Xhafaj, teksa pyetja mbeti një retorikë dhe konferenca u mbyll.

Gjatë konferencës Xhafaj tha se institucionet e drejtësisë humbën shansin e tyre për t’u bërë pjesë e diskutimeve dhe ndryshimeve që kërkonin, teksa nuk dha një përgjigje konkrete nëse ishte pro apo kundër zgjatjes së mandatit të kreut të SPAK dhe prokurorëve, pasi sipas tij qëllimi i Komisionit nuk kishte qenë kurrë ndërhyrja te institucionet e drejtësisë dhe reforma.

Ora 11:12
Xhafaj: Nuk i kërkuam institucioneve të drejtësisë të vinin te ne, por të na sillnin propozime! Ka mes tyre që nuk e duan, humbën një shans!


Kryetari i Komissionit të Posaçëm Antikorrupsion iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve që kishin të bënin me reformën në drejtësi dhe mospërfshirja apo refuzimi që i bënë institucionet e drejtësisë përfshirjes në Komision.

Fatmir Xhafaj shpjegoi se ishte keqinterpretuar qëllimi dhe ftesa e komisionit ndaj institucioneve të drejtësisë me qëllime të caktuara, duke vënë në dukje se ai besonte që në drejtësi ka edhe njerëz që nuk duan që të bëheshin pjesë e diskutimit.

Sipas Xhafajt, Komisioni nuk u kërkoi njerëzve të drejtësisë që të vinin tek Kuvendi, por që të bënin vetë një analizë të pavarur dhe t’i sugjeronin më pas Komisionit ndryshimet që donin.

“Ne nuk kemi kërkuar ndonjëherë që njerëzit e drejtësisë të jenë pjesë e Komisionit. As të institucioneve të pavarura. Ata janë të pavarur dhe detyrimi i tyre lind nga kjo pavarësi. Ne u thamë atyre që mblidhuni ju vetë me grup ekspertësh dhe bëjeni vetë një analizë. Nuk u thamë hajdeni ju te ne. Është e gabuar mënyra se si interpretohet. Ne nuk i detyruam as u ndërhymë në kompetenca. Në u thamë bëni analizë dhe na thoni çfarë ndryshime doni. Nuk u kemi thënë asnjëherë hajdeni ju në Komision me grup ekspertësh, na një numër arsyesh, nuk është Komisioni, por mund të ketë ndër ta që nuk duan ta bëjnë këtë”, tha ai.

Më tej argumentoi se vetë institucionet e drejtësisë kishin bërë 150 rekomandime për amendamente ndaj Kuvendit, teksa më tej nuk pranuan t ëbëheshin pjesë e Komisionit për këtë qëllim, përmirësimin e punës.

“Janë vetë ata që kanë sjellë 150 amandamente për ndryshim. Kush i bën këto, a i bën Kuvendi? Ne u thamë merrini këto, diskutojni së bashku dhe na thoni se çfarë kërkojeni. Ne ua dhamë këtë kompetencë, ua dhamë këtë shans e mundësi. Do e them sinqerisht, ata humbën një shans shumë të mirë, për të bërë analizën për punën e tyre dhe për të diskutuar dhe kaoluar ato amendamente që donin”, shpjegoi ai.

Xhafaj theksoi se ka dhe detyrime ligjore në sistemin e drejtësisë që përfshihen në procesin e negociatave dhe integrimit në BE. Por ai shpjegoi se gjatë fushatës zgjedhore, për të mos pasur keqinterpretime, puna e Komisionit pushoi.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 25/07/2025 03:26

    Ku eshte superkomisioni qe do te kapte SPAK-un?! Aty eshte,gjurmet aty jane,por iu hodh siper /uje me akull/ nga nderkombetaret dhe vete SPAK-u dhe iu shua /zjarri/.

    Përgjigju
  • I riu: 24/07/2025 13:03

    Po tani Xhafaj 100 vjec, hetues ne kohen e komunizmit, 100 skandale dhe na del duke dhene rekoamdnime dhe ide per zgjidhjen e problemeve. Ky duhet te kishte zgjidhur probleme deri para 90. Me pas hajt shnet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?