Një sasi e vogël uraniumi e kapur në aeroportin “Heathrow” të Londrës, ka alarmuar në nivelin maksimal anti-terrorin britanik.
Lënda kimike është ndër më të rrezikshmet në botë dhe shërben për të prodhuar armë atomike, ndaj policia dhe shërbimet inteligjente janë të gjitha në gatishmëri maksimale për të zbardhur rastin.
Scotland Yard-i konfirmoi se ekipi i saj kundër terrorizmit e zbuloi materialin pas një kontrolli sigurie rutinë më 29 dhjetor, në një fluturim pasagjerësh që mbërriti nga Omani.
Mediet britanike shkruajnë se pakoja e dërguar me postë e kishte origjinën nga Pakistani dhe adresohej për një biznes iranian me ambiente në Britani të Madhe.
"Dua të siguroj publikun se sasia e materialit të kontaminuar ishte jashtëzakonisht e vogël dhe është vlerësuar nga ekspertët se nuk përbën kërcënim për publikun. Nga hetimet e deritanishme nuk duket të jetë i lidhur me ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë. Ne do të vazhdojmë të ndjekim të gjitha linjat e hetimit për rastin”, njoftuan autoritetet.
Deri më tani nuk është zbuluar se kush e kishte këtë pako dhe as qëllimi që mund të përdorej ndërsa autoritetet britanike thonë se po punohet me agjencitë partnere për të hetuar plotësisht rastin.