Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të udhëtojë drejt Tiranës të enjten e 15 shkurtit. Ndërsa zbritja në aerportin "Nënë Tereza" pritet të jetë në orën 11:00 të paradites, ndalesa 8 orë në tokën shqiptare do të shoqërohet me një axhendë të ngjeshur takimesh.
Ish ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim zbardhi detaje nga vizita e rëndësishme e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken i cili shpalli non grata ish-kryeministrin Sali Berisha në maj 2021.
Gjatë një konference telefonike me gazetarë shqiptarë dhe gjermanë, mbrëmjen e sotme (me orën shqiptare), zonja Yuri Kim e cila aktualisht mban postin e Zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë në Departamentin Amerikan të Shtetit zbuloi se ku do të përqëndrohet biseda.
"Në Shqipëri do të jemi rreth orës 11:00 deri rreth orës 19:00 ose 20:00 të mbrëmjes. Dhe kjo është me të vërtetë një ndalesë që do të fokusohet tek e ardhmja, e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor' u shpreh zonja Kim.
Vizita vjen si një moment celebrimi për 100 vjetorin e marrëdhënie diplomatike SHBA-Shqipëri. Kim, e cila ndodhej në konferencë së bashku me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, James O’Brien zbuloi dhe mesazhin e rëndësishëm që përcillet përmes kësaj vizite
‘Ne duam të theksojmë dhe nënvizojmë bashkëpunimin e fortë që kemi me Shqipërinë. Për të shprehur falenderime kryeministrit Rama dhe Shqipërisë për rolin në Këshillin e Sigurimit gjatë vitit 2023. Për pritjen e afganëve që dëshmoi edhe një herë traditën e tyte historike të mikpritjes”
Kë do të takojë?
"Do takohemi me presidentin Bajram Begaj dhe një takim bilateral me kryeministrin Edi Rama' u shpreh diplomatja Yuri Kim.
Sekretari Amerikan i Shtetit do të jetë present dhe në një takim me gati 100 të rinj pjesë e programeve që SHBA aplikon në Shqipëri që do të mbahet tek Piramida.
Pjesë e axhendës së ndalesës së Sekretarit amerikan është folur në media, se është parashikuar dhe një takim me kreun e SPAK Altin Dumani. Kjo është vizita e parë sekretarit Blinken në Shqipëri, pas së cilës do të udhëtojë për në Gjermani ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë të Mynihut.
Nga ana e tij zoti O’Brien në komentet e tij, tha se në Konferencën e Mynihut, ku do të mbajë një fjalim kryesor Nënpresidentja Kamala Harris, Sekretari i Shtetit, Blinken do ta vënë theksin tek mbështetja për Ukrainën tek konflikti në Lindjen e Mesme dhe tensionet në Ngushticën e Tajvanit.
Raportoi gazetarja e Report Tv dhe shqiptarja.com Raziela Myslimaj.