Formula 1 nuk do e zhvillojë garën e kësaj fundjave për Çmimin e Madh të Italisë. Përmbytjet në rajonin e Emilia-Romangna kanë bërë që edhe pista e Imolas të jetë nën ujë, me autoritetet që kanë lëshuar sinjalin e alarmit pas 9 jetëve të humbura dhe mijëra qytetarëve të evakuuar.
Ferrari ka dhuruar një milionë euro për Agjencinë për Sigurinë Territoriale dhe Mbrojtjen Civile të Rajonit Emilia-Romagna, duke iu bashkuar mbledhjes së fondeve rajonale. Fondet do të përdoren, me koordinimin e autoriteteve vendore, në favor të popullsisë vendase të prekur së fundmi nga përmbytjet, me vëmendje të veçantë për projektet e rimëkëmbjes mjedisore dhe menaxhimin e kanaleve kulluese.
Me konfirmimin e anulimit të garës në Itali, tanimë vëmendja e skuderive dhe pilotëve është në Monaco, aty ku në Monte Carlo do zhvillohet Çmimi i Madh në 28 maj.