Anulohen koncertet e këngëtares Taylor Swift në Vjenë nga frika e një sulmi terrorist! Njëri prej të arrestuarve me origjinë shqiptare

8 Gusht, 07:40| Përditesimi: 8 Gusht, 21:51

  • Share

Dy të rinj janë arrestuar dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kishin planifikuar sulme terroriste në koncertet e Taylor Sëift që do të mbante në kryeqytetin e Austrisë, në Vjenë.

Këngëtarja me famë ndërkombëtare anuloi koncertet përgjatë datave 8, 9 dhe 10 gusht në stadiumin Ernst Happel të Vjenës, ndërsa një prej të arrestuarve, 19 vjeç, dyshohet se është me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut.

Mediat austriake shkruajnë se 19 vjeçari se ishte rekrutuar nga ISIS disa javë më parë, ndaj të cilit ishte betuar për besnikëri. I riu punonte në një laborator, ku dhe vidhte lëndë që mund të përdoreshin për të prodhuar eksplozivë.

Këngëtarja Swift planifikonte koncerte ne në stadiumin Ernst Happel të Vjenës të enjten, të premten dhe të shtunën.

Organizatori i koncerteve, Barracuda Music, tha në një postim në Instagram të mërkurën vonë se "nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të anulojmë tri shfaqjet e planifikuara për hir të sigurisë së të gjithëve".

Franz Ruf, drejtor i sigurisë publike në ministrinë e Brendshme të Austrisë, tha se autoritetet ishin në dijeni të "përgatitjeve” për një sulm të mundshëm'  njoftoi agjencia e lajmeve Austria Press (APA).

Drejtori Ruf tha se 19-vjeçari ishte betuar për besnikëri ndaj grupit Shteti Islamik. Ai tha se lëndë kimike janë gjetur dhe janë duke u ekzaminuar.  Shtetasi austriak besohet se është radikalizuar në internet. Gazeta austriake Kronen Zeitung, tha se i dyshuari është me origjinë nga Maqedonia e Veriut dhe vjen nga një familje shqiptare. 

Kancelari austriak Karl Nehammer, tha në një postim në rrjetin social X se “anulimi i koncerteve të këngëtares Taylor Sëift nga organizatorët është një zhgënjim i hidhur për të gjithë adhuruesit e saj në Austri”.

"Situata rreth atij që duhet të ketë qenë sulm terrorist i planifikuar në Vjenë, ishte shumë serioze”, shkroi ai, duke shtuar se falë bashkëpunimit të ngjeshur midis policisë, shërbimeve austriake dhe të huaja të zbulimit, u arrit që “kërcënimi të zbulohej më herët, të trajtohej dhe të parandalohej një tragjedi”.

Ekipi i këngëtares amerikane sqaroi se 200 mijë fansa të cilët kishin blerë biletat për koncertet, do të rimbursohen brenda pak ditësh. Biletat u shitën me çmime që variojnë nga 70 deri në 250 euro, ndërsa në tregun e zi një biletë mund të sigurohej pët 2500 euro.

Ora 19:02
Simpatizant i ISIS, ky është shqiptari që planifikoi sulmin ndaj Taylor Swift

1723136672_taylorswift.jpg

Simpatizanti i ISIS-it që planifikoi një sulm terrorist në një koncert të Taylor Swift është fotografuar për herë të parë teksa fqinjët thonë se ai ka ndryshuar rrënjësisht pamjen e tij kohët e fundit.

19-vjeçari fanatik i ISIS-it është identifikuar si Beran A., jetonte në një shtëpi gjysmë tarracash të sapondërtuar në Ternitz, në jug të Vjenës, ku kaloi fëmijërinë e tij.

Disa vite më parë, prindërit e Beran A. – të cilët emigruan në Austri nga Maqedonia e Veriut – u transferuan në një shtëpi të re në lagjen Neunkirchen të Ternitz me të dhe motrën e tij më të vogël, shkruan DailyMail.

Banorët e Ternitz-it thanë për mediat lokale se ai dikur ishte një ‘djalë i urtë’, i cili ka lindur në Austri dhe ka ndjekur një shkollë lokale.

Por Beran A. kishte ndryshuar kohët e fundit, sipas fqinjëve të tij, duke përkuar me premtimin e tij për besnikëri ndaj ISIS-it në fillim të korrikut. Së fundmi kishte lënë një mjekër të gjatë dhe pozonte me thika në duar.

Beran A. u arrestua në Ternitz, në jug të Vjenës, të mërkurën në mëngjes, ndërsa adoleshenti tjetër 17 vjeç, u arrestua në kryeqytetin austriak pasdite, sipas drejtorit të përgjithshëm për sigurinë publike Franz Ruf.

Ylli i popit, 34 vjeç, do të performonte para rreth 170,000 fansash më 8, 9 dhe 10 gusht në ‘Ernst-Happel-Stadion’ të Vjenës, i cili ishte caktuar të përforcohej me më shumë masa sigurie përpara se të tri koncertet të anuloheshin mbrëmë.

Ora 09:09
Planifikuan sulm terrorist në koncertin e Taylor Swift, 19 vjeçari i arrestuar është me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut

1723102156_vj.GIF

Një nga personat që u arrestuan të mërkurën (7 gusht) se planifikuan sulm terrorist në një nga koncertet e këngëtares, Taylor Swift në Vjenë të Austrisë është nga Maqedonia e Veriut dhe me origjinë shqiptare. 

Sipas faqes së internetit Puls24, familja e 19-vjeçarit ishte shpërngulur nga Vjena në qytetin e Ternitz, ku u bë arrestimi.

Familja e 19-vjeçarit, ka nënshtetësi austriake. Media austriake shkruan se i riu ishte rekrutuar nga ISIS në internet dhe se ishte betuar për besnikëri para disa javëve.

19-vjeçari së fundmi mund të jetë ndikuar nga fqinjët e tij ekstremistë, ku papritur një ditë u shfaq me mjekër si talebanët. Sipas dëshmie të fqinjve, ata kishin parë edhe një grua me burka në banesën e 19-vjeçarit.

Mediat austriake raportojnë gjithashtu se 19-vjeçari punonte në një laborator dhe dyshohet se vidhte kimikate që mund të përdoreshin për të bërë eksplozivë.

Kimikatet e tilla janë gjetur në shtëpinë e 19-vjeçarit dhe janë duke u ekzaminuar. Përveç 19-vjeçarit, autoritetet austriake, kanë deklaruar se për të njëjtin rast janë në kërkim edhe 3 persona të tjerë dhe për këtë arsye është vendosur që të anulohen të gjitha koncertet e Swift në Austri.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?