Prokuroria e Fierit sekuestroi mbi 3 milionë euro pasuri të dyshuara se rrjedhin nga veprimtari kriminale, në pronësi të 39-vjeçarit Ledion Boshnjaku, i dënuar në Greqi për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim droge, si dhe familjarëve të tij.
Në total u sekuestruan 19 pasuri, të luajtshme dhe të paluajtshme. 6 njësi shërbimi me sipërfaqe totale mbi 1500 m2, 4 apartamente me sipërfaqe totale 464 m2, njëri në Fier, 2 të tjerë në Vlorë dhe më i madhi në zonën e Selitës në Tiranë.
Po ashtu, iu sekuestrua 1 garazh në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, 1 papafingo me sipërfaqe 221.8m2 në Selitë, 5 automjete, një lokal në Fier dhe 2 llogari bankare me gati 25 mijë euro në total. Të gjitha këto pasuri, sipas Prokurorisë së Fierit kapin vlerën e më shumë se 3 milionë eurove dhe dyshohet se janë rrjedhje e aktiviteteve kriminale të Boshnjakut.
Por, kush është Ledion Boshnjaku, dhe për çfarë është i dënuar në Greqi?
39-vjeçari është arrestuar në Greqi në korrik 2016 dhe më pas u zbulua se ishte porositës i vrasjes së shqiptarit Edvis Cacaj në nëntor 2013 në Athinë.
Ai u arrestua si kreu i një grupi kriminal që trafikonte hashash dhe kokainë në një prej lagjeve të kryeqytetit helen. Përfshirja e tij në vrasjen e Edvis Cacajt në atë kohë doli pas deklarateve të dhënë nga dëshmitarë të marrë në pyetje për rastin. Këto dëshmi zbuluan një luftë të pamëshirshme të grupeve kriminale shqiptare për territor në lagjen “Eksarhia” për shitje droge.
Nga hetimet e drejtësisë greke u zbulua se Boshnjaku dhe Cacaj drejtonin grupe rivale të trafikut të drogës dhe tensioni kishte arritur kulmin. Konflikti i parë mes të dyve ishte regjistruar në vitin 2012 në lokalin që Cacaj punonte, ku Boshnjaku e kishte akuzuar se i kishte vjedhur hashash me vlerë 70 mijë euro. Më tej, një tjetër përplasje ndodhi mes tyre në janar 2013 për territorin e shitjes së drogës.
Në atë kohë Cacaj e plagosi Boshnjakun me një plumb. U arratis drejt Shqipërisë dhe u kthye pas disa javësh në kryeqytetin grek, kësaj here për ta vrarë Boshnjakun. Përdori si karrem një grua, por 39-vjeçari nga Patosi i Fierit e nuhati dhe arriti të shpëtoj, çfarë çoi më vonë deri në vrasjen e rivalit.
Pasuritë e sekuestruara janë:
- 1. 5 (pesë) pasuri të llojit “njësi shërbimi”, me sipërfaqe 722 m², 486.7 m², 180.5 m², 57 m², 77.31 m² me vendndodhje në lagjen “1-Maji” Fier.
- 2. Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 63.6 m², me vendndodhje në Fier.
- 3. 2 (dy) pasuri të llojit apartament me sip.63.4m² dhe 139.6m², si dhe një pasuri e llojit garazh me vendndodhje në “Uji i Ftohtë”, Vlorë.
- 4. Pasuri e llojit papafingo, me sipërfaqe totale 221.8m² me vendndodhje në Selitë, Tiranë
- 5. Pasuria e llojit “njësi shërbimi”, me sip.197 m² me vendndodhje Selitë, Tiranë.
- 6. Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe totale 197.4m², me vendndodhje Selitë, Tiranë.
- 7. 5 (pesë) pasuri të luajtshme të llojit automjet dhe motomjet të regjistruar pranë Drejtorisë Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor Fier.
- 8. Pasuri e llojit “njësi tregtare”, lidhur me aktivitetin tregtar “Bar-Kafe”, Fier, të ushtruar nga personi fizik L.B.
- 9. 2 (dy) Llogari bankare me gjendje 212,341.46 lekë dhe 22,628.7 mijë Euro.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me vendimin nr. 1275 datë, 09.10.2023 vendosi sekuestrimi e pasurive të mësipërme që kapin vlerën mbi 3,000,000 euro.
Prokuroria Fier po ndjek me prioritet dhe është plotësisht e angazhuar për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në përputhje me ligjin 10192, datë 03.12.2009, i ndryshuar.
Jepeni emrin cfar jan keto inicialet...
PërgjigjuNuk e lexon Ledjon Boshjnaku, lexoje nga lart poshte