Një italian i cili bashkëjeton në Milano me një grua 40-vjeçare nga Pogradeci, ka vënë në jetë një skemë të pastrimit të parave në Shqipëri. Italiani, i hetuar edhe në shtetin fqinj për mashtrim financiar dhe falsifikim të markave të rrobave, ka transferuar rreth 200 mijë euro në llogaritë e gruas në Shqipëri, dhe me rreth 750 mijë euro të tjera kanë blerë apartamente e makina, në emër të nënës pensioniste të gruas së tij nga Pogradeci. Paratë, italiani Francesco Cocilovo i ka transferuar nga kompania e tij e veshjeve “Gynarai Holdin Corps”, me seli në Panama, e cila konsiderohet si “parajse fiskale” nga një sërë organizmash ndërkombëtare. Për të mos rënë në sy në bankat shqiptare, italiani ka transferuar paratë nga 10 mijë euro në llogaritë e Almanda Durollarit me qëllim që të mos monitorohen si transferta.
Operacioni 'Transferta'/ Sekuestrohen 1 milion euro pasuri ne Pogradec dhe Tirane
Një operacion i koduar "Transferta" ka sekuestruar rreth 1 milionë euro pasuri, që një 40-vjeçare nga Pogradeci në bashkëjetesë me një shtetas italian, i kishte kaluar në emër të nënës së saj pensioniste në qytetin e Pogradecit dhe Tiranës. Pasuritë mbi të cilat është vendosur sekuestro preventive pas 7 muajsh hetime, dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm i 40-vjeçares Almanda Durollari dhe bashkëjetuesi i saj italian, Francesco Cocilovo, 42 vjeç, të cilët akuzohen për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale". Pronat, kryesisht apartamente banimi, u sekuestruan me vendim të Gjykatës së Pogradecit, më 5 korrik 2019.
Almanda Durollari bashkëjeton me italianin Francesco Cocilovo dhe banojnë në Itali. Për të fshehur dhe justifikuar këto prona të blera në Shqipëri, i kanë regjistruar në emër të pensionistes Vergjinush Durollari, 76 vjeç nëna e 40-vjeçares, e cila banon në Pogradec.
Gruaja nga Pogradeci dhe Cocilovo te hetuar edhe ne Itali
Almanda dhe Francesco janë hetuar nga autoritet gjyqësore italiane në Como, për akuzën e mashtrimit me TVSH, falsifikimit dhe shitjes së produkteve me shenja false, duke përfituar në formën e rimbursimit nga ministria e Financave Italiane, një shumë prej mbi 2.388.611 Euro. Por mbi 200 mijë euro çifti i bashkëjetuesve i ka sjellë në Shqipëri, duke i transferuar në llogaritë bankare të Almandës, e cila me këto para ka blerë pronat në emër të nënës së saj.
Prokuroria është ende duke kryer hetime për dokumentimin e plotë të aktivitetit të paligjshëm të 40-vjeçares e bashkëjetuesit të saj italian, me dyshimin se mund të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë.
Francesco Cocilovo dhe Almanda Durollari
U sekuestruan pasuri me vlerë 1 milionë euro:
- 2 apartamente banimi në Pogradec, me sipërfaqe 175 m2
- 4 apartamente banimi në Tiranë, me sipërfaqe 420 m2
- 1 njësi shërbimi në Tiranë, me sipërfaqe 106.5 m2
Transfertat bankare nga kompania e veshjeve false ne Panama drejt Shqipërisë
Hetimi ka nisur më 22 tetor 2018 nga prokurori i Pogradecit Sotir Kllapi. Në dy llogari të Almanda Durollarit në dy banka në Shqipëri janë transferuar shuma të konsiderueshme monetare, nga llogaritë bankare të një kompanie në Panama të quajtur “Gynarai Holdin Corps”.
Almanda Durollari dhe bashkëshorti i saj italian Francesco Cocilovo, i cili vepron si person i autorizuar, kanë deklaruar në përshkrimin e origjinës së shumave se vijnë nga një kompani e bashkëshortit Francesco në Itali, e cila ka objekt prodhimin e veshjeve. Këto veshje shiten në Amerikën e Jugut tek shoqëria "Gynarai Holding Corps", e cila i dërgon shumat në fjalë në llogarinë personale të Almanda Durollari në Shqipëri. Në llogaritë e Almandës janë dërguar 700 mijë euro, një pjesë e të cilave janë përdorur për blerjen e pronave të paluajtshme kryesisht në Qytetin e Pogradecit, nga vetë Almanda Durollari, nëna e saj Vergjinush Durollari si dhe bashkëshorti i saj Francesco Cocilovo.
700 mijë eurot janë transferuar nga gushti 2016 deri në qershor 2018. Të gjitha transfertat në llogaritë bankare të Almanda Durollati, janë bërë nga Francesco Cocivolo si dhe nga kompania “Gynarai Holding Corps” me seli në Panama, e cila konsiderohet si “parajse fiskale” nga një sërë organizmash ndërkombëtare.
Nga dhurimi, tek kontratat fiktive per apartamente e deri tek blera e Mercedezit nga pensionistja
Gruaja nga Pogradeci dhe bashkëshorti i saj italian, nuk kanë asnjë biznes në Shqipëri, nga verifikimet e bëra në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria, apartamentet i kanë blerë me kontratë noteriale 40-vjeçarja dhe bashkëshorti italian, ndërsa më pas ja kanë dhuruar nënës së pogradecares, 76-vjeçares Vergjinush Durollari.
Shqiptarja.com mëson se po ashtu, në qershor 2018 pensionistja ka blerë edhe një automjet Mercedez Benz të vitit të prodhimit 2008.
Më tej, e moshuara ka nisur të blerë apartamente, disa të përfunduara edhe disa në ndërtim e sipër jo vetëm në Pogradec, por edhe në Tiranë.
"Kamuflimi" me transferta 10 mije euroshe
Për të mos u kuptuar, transfertat bankare janë bërë gjithmonë në vlerën 10 mijë euro me qëllim që të mos raportohen në Njësitë e Inteligjencës Financiare të të dy vendeve si në Itali nga e kanë burimin dhe në Shqipëri ku kanë mbërritur, me qëllim final që të mos monitorohen si transferta.
"Duke qenë se e moshuara pensioniste nuk ka llogari bankare dhe mosha e saj është relativisht e madhe për të kryer aktivitet financiar në këto vlera të konsiderueshme monetare, lind dyshimi se emri i saj është përdorur për të lidhur kontrata fiktive, me qëllim mbulimin e dyshimeve të pastrimit të mundshëm të produkteve te veprës penale nga Almanda Durollari dhe Francesco Cocilovo", citohet të jetë shprehur prokuroria në kërkesën bërë Gjykatës për sekuestro preventive të pasurive.
Vlera e pasurive të blera e të porositura në një interval shumë të shkurtër kohor, (qershor 2018) arrin rreth 750.000 euro.
Ndërkohë rezulton se në llogaritë bankare të Almanda Durollari janë kredituar gjatë këtyre viteve shuma rreth 200.000 (dyqind mijë) euro, nga të cilat rezulton se një pjesë e konsiderueshme janë kaluar me urdhërues Francësco Cocilovo si dhe pjesa tjetër nga llogaritë bankare të kompanisë në Panama “Gynarai Holdin Corps”.