Durrës- Gjykata Administrative e Apelit Tiranë ka rrëzuar padinë e anëtarëve të Këshillit Bashkiak të opozitës, për tarifimin e parkimeve publike në qytetin e Durrësit.
Marrja e këtij vendimi nuk u mirëprit pak muaj më parë nga opozita, e cila nisi menjëherë marrjen e masave për ta ndjekur këtë çështje me padi në gjykatë. Sipas tyre, çështja do trajtohet në Gjykatën e Lartë.
Joni Myshketa, përfaqësues i grupit opozitar të krahut të Lulzim Bashës në Këshillin Bashkiak Durrës, u prononcua sot (14 shkurt) për mediat, në lidhje me këtë vendim, duke e cilësuar të padrejtë, në dëm të qytetarëve dhe se Bashkia e ndërmerrte për interesa politike.
“Nisur nga vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë në lidhje me padinë e bërë nga ana jonë si këshilltarë bashkiakë për tarifimin e parkimeve me pagesë nga ana e Bashkisë Durrës në zonat A dhe B të qytetit, padia u rrëzua nga gjykata. Megjithatë, ne gjykojmë, besojmë dhe do ta çojmë deri në fund nismën që kemi marrë, duke bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, si një e drejtë që buron nga ligji. Kjo është një çështje që prek drejtpërdrejt buxhetin e qytetarëve, ndaj do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për të siguruar që e drejta të shkojë deri në fund në kahun e duhur të peshores”, tha ai.
Më tej shtoi se arsyet e kësaj nisme nga opozita bashkiake dhe se nuk ishte politike, por në interes të qytetarëve.
“Ju bëj me dije se kjo nuk bëhet për kredo politike apo për interesa të ngushta vetjake, por për një interes të përbashkët. Ndodhemi në një situatë ku rrugët janë të mbingarkuara, kemi rrethrrotullime çdo 50 metra, ngushtime të trotuareve dhe zënie abuzive të parkimeve, ndërsa strukturat mbikëqyrëse nuk marrin masa për lirimin e tyre. Gjykojmë se Bashkia Durrës, përpara se të kalojë në tarifimin e parkimeve me pagesë, ka detyrimin ligjor dhe moral ndaj qytetarëve durrsakë, të cilët kontribuojnë me djersën e tyre në buxhetin e bashkisë, që të sigurojë fillimisht alternativa optimale për parkimet e lira dhe më pas të aplikojë tarifimin për parkimet me pagesë”, sqaroi Myshketa.
Myshketa thekson edhe problematikën e trafikut, mbingarkesës dhe çështjes së parkingut.
“Nëse rrugët e qytetit janë të ngushtuara, hapësirat e parkimit janë të minimizuara dhe të zëna në mënyrë abuzive, ndërsa institucionet bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh, atëherë kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Bashkisë dhe jo e qytetarëve, të cilët përballen me gjoba pa iu ofruar një zgjidhje”, theksoi ai, duke përfunduar se do e ngrenë zërin vazhdimisht, me qëllim informimin e qytetarëve për këtë çështje kaq të ndjeshme për secilin.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente
