Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshimet në ‘Ligjin për Sportin’, të propozuara nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve. Me 71 vota pro dhe 4 abstenim, projektligji kaloi pavarësisht rezervave të shprehura nga institucioni i futbollit (FSHF). Ligji do të përcaktojë dhe formën juridike të Këshillit të Arbitrazhit Sportiv.
Ky ligj i hap rrugë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar që të formojë një Gjykatë Arbitrazhi shqiptare, gjë që u kundërshtua nga opozita, duke thënë se ky ligj është bërë për kreun e KOKSH, Fidel Yllin.
Kreu i FSHF-së, Armand Duka gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së kishte kërkuar që të merreshin në konsideratë kërkesat dhe sugjerimet e ekspertëve të futbollit përpara se ligji të votohej, duke qenë kundër. Ai theksoi rëndësinë e konsultimit me grupet e interesit për çdo reformë që prek drejtpërdrejt sektorin sportiv.
Pavarësisht kësaj thirrjeje, Kuvendi vijoi me votimin, ndërsa 4 deputetë abstenuan. Erion Braçe dhe Petro Koçi nga PS, Dashnor Sula nga PD dhe Meri Markiçi nga PSD.
Neni në projektligj për CAS-in shqiptar është edhe arsyeja që FSHF në Asamblenë e Përgjithshme votoi unanimisht pezullimin e marrëdhënieve juridike pa afat me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, që drejtohet nga Fidel Ylli.
Ndryshimet ligjore pritet të sjellin ndikime të drejtpërdrejta në funksionimin dhe menaxhimin e sportit në Shqipëri, përfshirë dhe sektorin e futbollit, ku FSHF ka shprehur shqetësime për mospërfshirjen në hartimin e tyre.
Komente
