Vangush Dako, foto arkiv

Kronikë

Apeli i GJKKO e riktheu në burg, ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ende në spital! Duhet të kryejë edhe 9 ditë dënim

17 Shtator, 10:06| Përditesimi: 17 Shtator, 11:30

  • Share

Ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ndodhet ende i shtruar në spitalin e Durrësit në repartin e Infektivit. Ai u shtrua pasi ka patur aritmi, gjendje ankthi dhe probleme me hernien diskale.

Ditën e djeshme, pas vendimit të Apelit të GJKKO, e cila e dënoi me 2 vjet e 8 muaj burgim ish kreun e bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, SPAK në bazë të kompetencës që ka, nxori menjëherë urdhrin e ekzekutimit të vendimit. Duke përllogaritur kohën e paraburgimit, si dhe atë të arrestit shtëpiak, Dako tani duhet të kryejë edhe 9 ditë burg.

Policia shkoi në shtëpinë e tij për zbatimin e vendimit por, për shkak të problemeve shëndetësore, ai u dërgua në spital nga efektivët, dhe pas vizitës mjekësore, u shtrua. Dako ruhet nga policia e burgjeve. Në bazë të Kodit Penal, çdo ditë në spital është e barabartë me 1 ditë burg. Nëse do të qëndrojë edhe 9 ditë në spita, detyrimi quhet i kryer.

Një ditë më parë, Apeli konfirmoi dënimin me 2 vite e 8 muaj burg të dhënë nga GJKKO dhe sipas përllogaritjeve, Dako, i cili ndodhej në arrest shtëpie, do duhet të bënte vetëm 10 ditë burg, pasi pjesën tjetër të dënimit e ka kryer në paraburgim. Ish kryebashkiaku i Durrësit u arrestua më 6 qershor 2023. 

Ai u lirua në shkurt të vitit 2024 pasi i kaloi afati i paraburgimit dhe prej asaj kohe ka qëndruar në arrest shtëpie. Më 25 nëntor të 2024, GJKKO vendosi që ta dënonte me 2 vite e 8 muaj burg për shpërdorim detyre në dy raste. Vendimi i së martës, i marrë nga Engert Pëllumbi, Miliana Muça dhe Iliriana Olldashi, konfirmoi gjithashtu dënimin edhe për tre të pandehurit e tjerë, Fatmir Ejupi, Fiqiri Farruku dhe Adrian Bulku, me nga 2 vite burgim me gjykim të shkurtuar, dënime të pezulluara me shërbim prove nga GJKKO.

Vangjush Dako u dënua për shpërdorim detyre në 2 raste, në kohën që ushtronte postin e kryetarit të bashkisë së Durrësit. Bëhej fjalë për ndërtimin e një pallati 12 vite më parë në Durrës, që u shemb nga tërmeti i vitit 2019. Leja e ndërtimit të pallatit u zbardh, tre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe kishin hyrë banorët, duke legalizuar 4 kate pa leje. Po kështu dhe vetë ndërtimi nuk ishte bërë sipas projektit të miratuar nga Bashkia Durrës.

Ndërsa rasti tjetër lidhet me abuzimin me tenderin për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, të zbuluar nga KLSH, që i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh. Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, Vangjush Dakos i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë pesëvjeçare.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?