Jorgo Goro

Kronikë

Tjetërsimi i 10 mijë metra katrorë tokë, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 3 vite e 1 muaj burg për Goron! I konfiskohet apartamenti në Tiranë

22 Korrik, 13:15| Përditesimi: 22 Korrik, 13:32

  • Share

TIRANË- Apeli i Posaçëm lë në fuqi vendimin e shkallës së parë për ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, duke e dënuar me 3 vite e 1 muaj burg, për çështjen e tjetërsimit të 10 mijë metra katrorë tokë në Gjilekë të Himarës. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Goro do të vuajë 2 vite e 20 ditë burg. 

Goro u dënua për veprën penale “shpërdorim detyre” në dy raste dhe mosdeklarim pasurie. Po ashtu, Apeli vendosi konfiskimin e apartamentit rreth 81 m katrorë që ishte në emër të biznesmenit Gentian Sula. Shkalla e parë më herët, vendosi t’ia kthente apartamentin firmës, ndërsa SPAK pretendonte se ishte pronë e fshehur e ish-kryebashkiakut,  por biznesmeni Gent Sula ka pretenduar se apartamenti është i tij dhe ia kishte lënë në përdorim. 

Hetimet treguan se Goro përcolli pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një toke bujqësore pronë shtet, në favor të Stavri Mëhillit, në kërkim. Pas kësaj procedure, toka u shit te një shoqëri private me përfaqësues ish-deputetin Artan Gaçin. Në total përllogaritet rreth 10 mijë m2 tokë e tjetërsuar në 2 sipërfaqe të ndryshme, për të cilën GJKKO ka vendosur që të konfiskohet për llogari të shtetit.

Njoftimi i plotë i Apelit të GJKKO

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Miliana Muça (anëtare),  më datë 22.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 44 akti, datë 03.06.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe ankimet e paraqitura nga të pandehurit J.G., V.Gj. dhe J.B, ndaj vendimit nr. 25, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

1 - Lënien në fuqi të vendimit nr. 25, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë  për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këtë ndryshim:

Urdhërohet konfiskimi i pasurisë së mëposhtme:

- Apartament i regjistruar me nr. pasurie ***, volumi ***, faqe ***, zona kadastrale ***, me sipërfaqe 81,41 (tetëdhjetë e një presje dyzet e një) m2, ndodhur në ***, së bashku me sendin sekuestruar shtetasit E.V. me procesverbalin e sekuestrimit datë 03.07.2024, çelës me ngjyrë të zezë, me mbishkrimin “***”, me kod “***”. 

2 - Mospranimin e ankimit të ankuesit Shoqëria “***” shpk, kundër vendimit nr. 25, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

3 - Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen solidarisht të pandehurve.

 U shpall në Tiranë, sot me datë 22.07.2025.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?