Kronikë

Apeli i GJKKO rikthen në burg Vangjush Dakon, ish-kryebashkiaku i Durrësit duhet të vuajë edhe 10 ditë dënim

16 Shtator, 14:41| Përditesimi: 16 Shtator, 16:44

  • Share

Ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako do t’i duhet të rikthehet në qeli për të përfunduar dënimin me 2 vite e 8 muaj burg të dhënë nga GJKKO dhe të lënë në fuqi edhe nga Apeli i Posaçëm. Vendimi u shpall nga gjyqtarët Engert Pëllumbi, Miliana Muça dhe Iliriana Olldashi.

Por sipas përllogaritjeve, Dako, i cili ndodhet në “arrest shtëpie” do t’i duhet të kryejë vetëm 10 ditë burg, pasi pjesën tjetër të dënimit e ka kryer në paraburgim.

GJKKO vendosi që të mos pranojë ankimit të të pandehurit Fiqiri Farrukut dhe la në fuqi vendimin e datës 25 nëntor 2024, e cila e dënoi me 2 vite burgim me gjykim të shkurtuar.

Ndërsa për të pandehurit e tjerë Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulku, Apeli la në fuqi dënimin me nga 2 vite burgim me gjykim të shkurtuar. 

Dako u arrestua në 6 qershor 2023. Ai u lirua në shkurt të vitit 2024 pasi i kaloi afati i paraburgimit dhe prej asaj kohe ka qëndruar në arrest shtëpie. Më 25 nëntor të 2024, GJKKO vendosi që ta dënonte me 2 vite e 8 muaj burg për shpërdorim detyre në dy raste.

Vendimi i GJKKO

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Miliana Muça (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), sot më datë 16.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 02.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurve/ankues V.D., F.F., A.B., ndaj vendimit nr. 70, datë 25.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

1. Mospranimin e ankimit të të pandehurit F.F. ndaj vendimit nr. 70, datë 25.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;

2. Lënien në fuqi të vendimit nr. 70, datë 25.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;

3. Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht;

4. U shpall në Tiranë, sot më datë 16.09.2025.

A.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?