Ilir Meta do të mbetet në burg. Kërkesa e tij për të dalë nga qelia është rrëzuar edhe në Apelin e GJKKO-së. Gjyqtarja Igerta Hysi nuk pranoi kërkesën e ish Presidentit për një masë sigurie më të lehtë, duke lënë në fuqi vendimin e 13 gusht të shkallës së parë se kreu i PL nuk mund të lirohej për shkak se ka fuqi për të prishur prova dhe intimidojë dëshmitarët.
Në përfundim të seancës, avokati i Metës, Kujtim Cakrani edhe për këtë vendim nuk kishte ndonjë pritshmëri, por kërkesat për lirinë e kreut të Partisë së Lirisë do të vazhdojnë.
“Nuk prisnim diçka nga kjo gjykatë dhe nga kjo gjyqtare. Ne vijmë këtu për të bërë procedurën, dhe që kështu nuk ishim ndonjë pritshmëri. Ne do të vazhdojmë kërkesat tona për zëvendësim të masës së sigurisë. Javën tjetër, nesër apo apo pasnesër do të bëhet kërkesa tjetër. Çështja tashmë është përpara gjyqtarit të seancës paraprake. Në çdo të vazhdojmë sepse presidenti nuk duhet të qëndrojë në paraburgim”, tha avokati.
Lidhur me caktimin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila në seancë paraprake do të vendosë “fatin” e dosjes së Metës, Kryemadhit dhe të tjerë, avokati u shpreh se do të jetë Meta që do të vendosë nëse do të pranojë Irena Gjokën si gjyqtare apo do të kërkojmë zëvendësimin e saj me një tjetër.
“Kam ardhur këtu për një procedurë tjetër. Kur të vijë momenti për zonjën Gjoka, kur të njihemi me rrethanat e seancës, ne do të mbajmë qëndrimin tonë.... Me ne nuk tallen dot. Kjo gjykatë këtu janë të kontrolluara. Vendim i Metës do të vendosë se çfarë do të bëjmë me gjyqtaren Gjoka. Këta të gjithë Gjokë dhe Erjon janë të gjithë...”, tha avokati.
Dosja Meta-Kryemadhi ndodhet në GJKKO me kërkesën e prokurorisë për nisje të gjykimit, dhe pritet që gjyqtarja Gjoka të caktojë datën e seancës paraprake. Ish-presidenti Ilir Meta akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA. Ai u arrestua më 21 Tetor 2024 dhe që prej atij momenti qëndron në paraburgim me masë “arresti në burg”.
Komente
