Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm i ka ulur dënimin me 5 vite burg biznesmenit italian Francesco Becchetti, duke e dënuar përfundimisht me 12 vite nga 17.
Ulja e dënimit nga Apeli u dha bazuar në aplikimin e nenit 55, që parashikon bashkimin e dënimeve në një të vetëm.
Francesco Becchetti është shpallur fajtor për krijimin e një skeme mashtrimi me TVSH dhe pastrim parash. Ai u akuzua për 4 vepra penale; “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
I akuzuari tjetër në këtë proces, Mouro de Renzis u dënua përfundimisht me 12 vite burg, nga 16 vjet burg që e dënoi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë.
Ai është shpallur fajtor për akuzat “Falsifikim të dokumenteve”, “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Krijimi i skemave mashtruese” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”. Bashkimi i të gjitha akuzave në një të vetëm, solli uljen e dënimit me 4 vite.
Ndërsa në fuqi u la dënimi për Eriona Troplinin dhe Liliana Condimitti, të dënuara me nga 8 vite burg secila.
Treshja e Apelit që mori vendimin ishte e përbërë nga gjyqtarët Genti Shala, Brikena Ukperaj dhe Dritan Hasani.
Biznesmeni italian Francesco Becchetti vazhdon të jetë në arrati dhe për të ka një mandat arresti ndërkombëtar.
Gjyqi në Apel ndaj Becchettit është zvarritur prej disa kohësh. Nga janari i vitit 2024, seanca në Apel ishte shtyrë 20 herë.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente
