Në një shtëpi përdhese mbuluar nga lagështia e myku jeton në varfëri ekstreme familja e Rami Sejdos nga fshati Sul i Bashkisë Bilisht. Zonja e shtëpisë, 46- vjeçarja Albana Sejdo nuk i ndal lotët gjatë gjithë rrëfimit të dhimbshëm për Report Tv.
"Problemi tek dhoma ku fle djali është lagështia. Dy fëmijë më kanë vdekur, burrin e kam të sëmurë. djali është me zemër dhe nga koka e kam shpënë tek doktori në Pogradec", thotë ajo.
Në këtë shtëpi të rrënuar banon Albana me bashkëshortin invalid dhe djalin 22-vjeç që dergjet në shtrat me probleme të shëndetit mendor e fizik. Të ardhurat e kësaj familje janë 1300 lekë ndihmë ekonomike dhe 9000 lekë pension invaliditeti.
"Ndihma ekonomike është qesharake 13 mijë lek të vjetra. Mbahemi veç me lekët e burrit CAMP-it, djali merr 90 mijë lek të vjetra", tha ajo.
Këto të ardhura nuk mjaftojnë as për ilaçe pasi të tre anëtarët e familjes janë të sëmurë. 46-vjecarja vuan nga astma dhe mes shumë vështirësish ajo përpiqet të mbledhë bimë medicinale në mal për të siguruar bukën ....
"Unë jam asmatike alergjike, djalin e marr me vete në mal edhe burrin. E vështirë është sa s'ka më. Mbledh lule dhe i shes dhe me këto siguroj ushqime. Si mund ta mbyll muajin me 4 mijë lek vaj, 1200 sheqeri. për të punuar tokën plehrat kimikë janë shtrenjtë ku ti gjej', vijon Albana.
Ndërtimi i një shtëpie të re është kërkesa kryesore e Albana Sejdos e cila po lufton e vetme mes varfërisë dhe sëmundjeve të pjesëtarëve të familjes.
“Si nënë u bëj thirrje të gjithëve të vënë dorë në zemër, kaq s'mund të them më shumë....”, apelon ajo.
Kush ka dëshirë që të kontribuojë për të ndihmuar familjen Sejdo është i lutur të kontaktojë në numrin e Albana Sejdo - 0695313597