Tirane- Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi sot kërkesën e Erzen Breçanit për të hequr sekuestron preventive nga Hidrocentrali Drita.
Vendimi u mor sot nga gjyqtari Engert Pëllumbi.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 22.01.2024, ora 11:30, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 21 akti, datë 11.01.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e Shoqërisë {…} sh.p.k., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 465, datë 24.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për vendosjen e masës së sigurimit pasuror”, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 465, datë 24.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit tij.
Sekuestrot janë vendosur pasi SPAK dyshon se pasuritë janë ngritur nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës.
Erzen Breçani është në qeli dhe në hetim nga SPAK për trafik droge dhe pastrim parash, në një grup me 11 persona, 4 të arrestuar e 7 në kërkim, mes të cilëve djali i tij Eralbi Breçani dhe Ervin Mata. Grupi u zbërthye nga bisedat në “Sky Ecc” ku në pranga përfundoi edhe shefi i hetimit të krimeve Dedan Gjoni.
SPAK tha se po verifikon pasurinë e familjarëve të të dyshuarve, përfshirë dhe të këngëtares Elvana Gjata, e cila përmendet në dosje për përdorimin e llogarisë së saj bankare nga Ervin Mata.