Sociale

Rriten aplikimet në universitete, 500 maturantë më shumë se vitin e kaluar! Xhelaj: Teknologjia e informacionit dhe Inxhinieria degët më të kërkuara

7 Gusht, 14:58| Përditesimi: 7 Gusht, 15:20

  • Share

Teksa më tre gusht u mbyll raundi i parë i aplikimeve në Universitete Arjan Xhelaj, Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar në një intervistë për Report Tv tha se 20 mijë e 200 maturantë kanë aplikuar në raundin e parë - 500 maturantë më shumë se vitin e kaluar.

Xhelaj shprehet se degët që kanë preferuar më së shumti maturantët janë Teknologjia e informacionit dhe Inxhinieria.

“Maturantët kanë zgjedhur 10 preferenca ku degët që mbizotërojnë janë Teknologjia e informacionit dhe inxhinieria, 30% e aplikimeve. Në vend të dytë renditet dega e mjekësisë. Në vend të tretë janë shkencat ekonomike. Megjithatë ka pasur edhe maturantë që kanë zgjedhur, programet profesionale dy vjeçare”, tha Xhelaj teksa theksoi se shkencat ekzakte po fitojnë terrenin që humbën disa vite më parë.

Xhelaj theksoi se procesi i regjistrimit pas rezultateve fillon në fund të gushtit. Ata do të kenë 48 orë kohë për t’u regjistruar në të kundërt do të vijojnë garën për degët e tjera që kanë aplikuar.

“Procesi i regjistrimit fillon në fund të muajit gusht. Tani universitetet që kanë provime i kanë shkarkuar të dhënat dhe sot do të shpallin listat dhe datat e konkursit. Pjesa tjetër e maturantëve do të presin deri më 26 gusht për të parë renditjen e tyre. Do të kenë 48 orë kohë për t'u regjistruar, nëse jo ata do të vazhdojnë garën për programet e tjera që kanë aplikuar dhe vendet e tyre i kalojnë maturantëve që janë në listë pritje. Nëse maturantët mund të kenë paqartësi mund të ankimojnë më 27 gusht pranë universitetit përkatës për rezultatin. Nëse universiteti i jep të drejtë atëherë ringarkohet lista, nëse jo procesi vazhdon përsëri. Maturantët kanë mundësi të ç’regjistriohen dhe të riaplikojnë në raundin e dytë, për një degë tjetër", theksoi ndër të tjera Xhelaj.

Në fund të intervistës Xhelaj shtoi edhe një herë se kriteret e pranimit janë të njëjta për të gjitha raundet, kriteri i mesatares është i njëjtë. Psh ai me mesataren nën 6.5 mund të aplikojë në një nga programet dy vjeçare.

Xh.K/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?